Rama prezanton projektin e Parkut të Vlorës: Do vijojmë me të tjera ndërtime, ja pse u ndërpre puna për aeroportin

Kryeministri Edi Rama ishte ditën e djeshme në Vlorë ku u vu guri i themelit të projektit të Parkut të Vlorës, që do të quhet “Parku i Shtëpisë së Pavarësisë” dhe do të lidhë bulevardin “Ismail Qemali” me buzën e detit dhe Lungomaren.
Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë u shpreh se përmes këtij projekti do të krijohen edhe shumë mundësi të reja punësimi, duke premtuar edhe projekte si porti i jahteve dhe sistemimi i portit të peshkatarëve. “Jemi këtu në Vlorë për të nisur një tjetër projekt, pjesë e mozaikut të transformimit të Vlorës, projekt që do të sjellë lidhjen e natyrshme mes bulevardit të ri dhe Lungomares, për të gjithë banorët dhe vizitorët.
Rrisim përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijojmë mundësi të lidhim aksin kryesor. Ky projekt sjell me vete më shumë punësim”, tha Rama. Kryeministri më tej sqaroi edhe arsyet pse projekti i aeroportit të Vlorës ngeci në mes. Ai tha se pavarësisht gënjeshtrave që mund të qarkullojnë, e vërteta është ndryshe. Sipas shefit të qeverisë, karantina 3 mujore për shkak të pandemisë globale ndikoi në nisjen e këtyre punimeve.
“Nuk e kemi thënë e as çuar nëpër mend që do jemi të dytët pas Gjermanisë. Por kur gënjeshtra e ka bërë xhiron e botës e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat. Prirja për të besuar gënjeshtra është më e madhe se ajo për të zbuluar të vërtetat dhe faktet. Po ju sqaroj se procesi i punës për aeroportin u ndërpre nga karantina e përgjithshme e Covid-19. Të gjitha kompanitë e interesuara bënë kërkesa që të shtyhen proceset.
Ne e ngrimë aty ku ishte, që do të thotë në pak ditë, në fillim të tetorit procesi do të hapet. Janë vetëm pak ditë ende që ne të marrim ofertat ndërkombëtare për të lidhur kontratat për ndërtimin. Do kisha dashur që kjo të kishte ndodhur më parë, por eksperienca më ka mësuar se projektet nisin kur ideohen nga ideja në koncept, projekt dhe zbatim, garantim financimi dhe pastaj në procesin e garës dhe pastaj bëhen negociata për kontratën e më pas nis puna në terren. Projektimi nuk është proces i thjeshtë”, tha Rama.