Rasti i Gjin Gjonit dhe Elona Çaushit që përzunë kompaninë amerikane nga Shqipëria, dy mesazhe të forta të Yuri Kim dhe bisedimet e PD për ta bërë gjyqtarin deputet

Nga Adriatik Doçi
Korrupsioni në sistemin gjyqësor pengon investitorët e huaj në Shqipëri. Kjo është kryefjala e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri. Raporti vjen disa muaj pas publikimit nga të një skandali të paprecedentë korrupsioni dhe pleksjesh interesash, duke sjellë si pasojë largimin e një kompanie amerikane nga Shqipëria. Bëhet fjalë për kompaninë International Cruise Duty Free (ICDF), e cila në vitin 2019 fitoi tenderin dhe lidhi një kontratë me TIA-n për menaxhimin e ambienteve Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Por, këto ambiente kontrollohen edhe sot nga bashkëshortja e Gjin Gjonit, përmes kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution, në kushtet kur kishte humbur tenderin për menaxhimin e këtyre ambienteve si dhe në kushtet kur kontrata me TIA-n i kishte mbaruar në 27 gusht 2019.
Për të mundësuar kontrollin mbi dyqanet, Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi gjetën dy gjyqtarë pa Veting, Avni Sejdin dhe Mimoza Kajo Brahimin, të cilët vendosën në favor të tyre, vendime të cilat shkarkuan reagime në nivel ndërkombëtar. Në këtë makinacion u përfshi edhe zëvendësministri i Financave, Elton Haxhi, i cili i rinovoi autorizimin për 24 orë kompanisë së Elona Çaushit për ushtrimin e aktivitetit Duty Free, në shkelje të hapur të procedurave dhe afateve. Vendimi u përdor më pas nga çifti Gjoni për të mbajtur ambientet në Rinas, përmes gjykatës.
Në 13 shkurt 2020, Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama. Disa orë pas këtij takimi, zëvendësministri i Financave, Elton Haxhi, i cili me implikimin në këtë çështje dëmtoi imazhin e qeverisë, dha dorëheqjen. Megjithatë, kompania amerikane ICDF është larguar nga Shqipëria dhe çështjen e ka çuar në Arbitrazh. Nuk përjashtohet mundësia që shteti shqiptar në të ardhmen të paguajë një tjetër faturë për shkak të një afera me protagonistë njerëz të gjyqësorit dhe administratës.
Dy ditë para takimit me kryeministrin Edi Rama, ambasadorja amerikane Yuri Kim u shpreh se “në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”.
Ndërsa, Lucio Suoto, president i International Cruise Duty Free, ka pohuar se “Ky zhgënjim ka koston e tij jo vetëm për kompaninë tonë. Sepse ka kosto të tjera nëse Ministria lëshon një licencë pa shqyrtuar dokumentet apo nëse gjykata merr vendime duke shkelur çdo parim biznesi. Ka kosto për qeverinë shqiptare, e cila së fundmi humbi një çështje në gjykatë ndërkombëtare kundër një tjetër kompanie të huaj. Ka edhe kosto që i ndajmë me qytetarët shqiptarë, sepse kjo çështje është më shumë se një investim i huaj i humbur, por është edhe çështje e së ardhmes që këta qytetarë meritojnë. Ne jemi të zhgënjyer, më së pakti. Në vend që koha jonë të shpenzohej në investimin e bërë, po harxhohet duke luftuar një kauzë dhe probleme që pikësëpari nuk duhet të ekzistonin”.
Dje, pas raportit të DASH, Partia Demokratike, përmes Jorida Tabakut, u shpreh se qeveria largoi investitorët amerikanë nga Shqipëria për shkak të korrupsionit. “Raporti thekson raste konkrete të bizneseve amerikane, që janë larguar si rezultat i korrupsionit qeveritar me të cilin janë përballur. Qeveria ka qenë armiqësore ndaj investimeve të tilla, ka favorizuar korrupsionin përballë investimeve të partnerëve strategjikë të vendit”, tha Tabaku.
Po si qëndron e vërteta? Gjin Gjoni, me influencat e tij në gjyqësor, mundësoi largimin e një kompanie konkrete amerikane nga Shqipëria. Pasi Gjin Gjoni dha dorëheqjen nga drejtësia për të evituar përballjen dhe shkarkimin nga Vetingu, Partia Demokratike hyri në negociata me të, për ta kandiduar për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021. Pas publikimit të lajmit nga Shqiptarja.com, Partia Demokratike reagoi, duke pohuar se nuk do të pranonte në listat e saj njerëz që ishin larguar nga drejtësia për shkak të Vetingut.
Por, Gjin Gjoni pretendon ndryshe. Gjyqtari i ka dërguar një letër KLGJ, duke shpjeguar motivet e dorëheqjes. Si motiv të dorëheqjes së tij, z, Gjin Gjoni ka parashtruar faktin se nga ana e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike Lezhë dhe njëkohësisht të Partisë Demokratike Tiranë, është propozuar për të qenë kandidat i mundshëm për zgjedhjet e ardhshme politike në Qarkun e Lezhës. Në këto kushte ai ka kërkuar shqyrtimin e kërkesës së dorëheqjes së parevokueshme me efekt të menjëhershëm.
Ndërkaq, nisur nga kjo tentativë e Gjin Gjonit për t’u bërë deputet, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, u dha këtë mesazh partive politike: “Paralajmërim: Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”.(shqiptarja.com)