Rreziku nga kërkesat e Greqisë/ Sqaron ish-komandanti i flotës detare: Problematike…

Ish-komandanti i flotës detare, Vladimir Beja, ka treguar se ku qëndron konflikti në kërkesën e Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në detin Jon.
I ftuar në emisionin “Open”, Beja u shpreh se nëse do të arrihej marrëveshja e re, Kanali Korfuzit do të ndahej mes për mes.
Kjo, sipas tij, mund të bëhet edhe në mënyrë matematikore, por problematike është ndarja në veri të Kanalit të Korfuzit, ku ndodhen edhe ishujt grekë.
“Marrëveshja e vjetër nuk ekziston, ne kemi vendimin Gjykatës Kushtetuese dh e përpjekjet për një marrëveshje të re me Greqinë. E drejta e shteteve për të patur dete territorial filloi që në shekullin e XVI. Problematika jonë, ne i kemi kufijtë detar të dhëna me hipotekë nga Fuqitë e Mëdha. Shqipëria e ka bërë ndarjen e detit territorial me Italinë pas Konventës Ndërkombëtare.
Në rastin me Greqinë kemi rastin e veçantë që duhet ta ripërcaktonjë kufirin territorial. Kanali i Korfuzit do të ndahet mes për mes. Ne kemi dy pjesë, kemi kanalin e Korfuzin dhe pjesën në veri. Ndarja e kanalit të Korfuzit mes për mes, mund të ndahet edhe në mënyrë matematikore. Vështirësia është ndarja në veri të kanalit të Korfuzit dh raporti që ka kontinenti me ishujt. Kërkesa e palës greke, në mes të bisedimeve, nga 6 milje në 12 milje, është prepotencë dhe arrogancë”, u shpreh Beja.