Rritet numri i pacientëve në terapi intensive, Ministria jep detaje për situatën në spitalet COVID

Vendi ka regjistruar sot një shifër të lartë të rasteve të reja me koronavirus, 1536, ndërsa fatkeqësisht katër persona nuk i mbijetuan luftës me virusin vdekjeprurës.
Po ashtu është rritur edhe numri i personave të shtruar në spital dhe i atyre në terapi intensive.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 193 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë i ka bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, pasi rikthimi i nxënësve në shkolla dhe i punonjësve në punë me kapacitet të plotë e rrit rrezikun e përhapjes së infeksionit.
“I drejtohemi qytetarëve dhe bizneseve të kenë më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik”, apelon Ministria.