Shqipëria ndihmon Kosovën me ekspertë të drejtësisë

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Shqipërisë, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është takuar me homologen e tij Etilda Gjonaj, nga e cila ka marrë konfirmimin për ndihmesë me kuadro profesionale.
Në takim është diskutuar edhe për ecurinë e reformave në drejtësi, agjendën legjislative, nismat për fuqizimin e luftës kundër korrupsionit në të dyja vendet, forcimin e bashkëpunimit juridik, si dhe këmbimin e përvojave në aspektet pozitive për të përfituar sa më shumë nga praktikat e mira të njëra-tjetrës e për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
Ministri Selimi tha se fusha e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve sa i përket çështjeve penale është e mbuluar dhe funksionon përgjithësisht mirë.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë sa i përket fushës së bashkëpunimit juridik, tashmë në fushën penale kanë të nënshkruara marrëveshje për ekstradim, ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale, si dhe transferimin e personave të dënuar”, u shpreh ai.
“Kemi folur edhe për një nga betejat më të rëndësishme, luftën kundër korrupsionit dhe kriimit të organizuar, si themel për shtetet tona dhe imazhin e tyre në rrjedhat globale, për të cilën u pajtuam se duhet qasje e guximshme dhe ndërtimi i politikave të reja, për të dëshmuar një vullnet të ri për të ecur përpara, me synimin për të hapur perspektiva të reja për zhvillimin e vendeve tona dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në familjen evropiane”, tha ministri Selimi.
Ndërsa ministrja Gjonaj shprehu gatishmërinë që përmes ekspertëve të Republikës së Shqipërisë, të ndihmohet Kosova gjatë reformës së sistemit të drejtësisë.