Situatë shqetësuese në vendin tonë, ndërtesat që rrezikohen nga tërmetet

Sipas Bankës Botërore, 10% e popullsisë në Tiranë dhe 6% e popullsisë në Durrës jetojnë aktualisht në ndërtesa me rrezikshmëri shumë të lartë, duke lajmëruar se ato mund shemben në rast të një tërmeti tjetër.

Dy llojet e ndërtesave që rrezikojnë më shumë janë pallatet me beton të armuar dhe ndërtesat e muratuara, të cilat mund të shkaktojnë më shumë fatalitete. Gati 50,000 njerëz, ose rreth 10% e popullsisë banojnë në ndërtesa me rrezik të lartë, analizon Banka.

Ndërsa në Durrës përafërsisht 7,000 njerëz, ose rreth 6% e popullsisë së qytetit, banojnë në lloje të ndërtesave me rrezik të lartë. Dobësia e këtyre objekteve i atribuohet mënyrës së ndërtimit dhe mungesës së mirëmbajtjes, mbikëqyrjes gjatë shumë dekadave. Studimi i fundit i Bankës Botërore analizon rrezikun nga tërmeti për familjet që jetojnë në banesa të ndërtuara para vitit 2000 dhe ofron të dhëna për shtetet në mënyrë që të përmirësojnë sigurinë e tyre.

Në lidhje me këtë çështje urbanisti Olsi Bocka tha për “Wake Up” në Top Channel se banesat nga koha e komunizmit janë në gjendje skandaloze dhe janë pikërisht këto ndërtesa që rrezikohen më së shumti nga tërmetet.

“Paketa imobiliare që kemi nga koha e komunizmit është absolutisht skandaloze nga të gjitha aspektet: estetik, termik, dhe struktural edhe për faktin se janë bërë shumë ndërhyrje pas viteve ’90 nga vetë banorët për të krijuar kushte me komode. Janë këto ndërtesa që rrezikojnë”, tha Bocka.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT