Skandal në Tribunalin e Hagës, jep papritur dorëheqjen një nga figurat kryesore të tij: Dosje me emra dhe dëshmi kanë rënë në duart e veteranëve të UÇK-së

Zëvendësprokurori në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip ka dhënë dorëheqjen, pasi mijëra dosje, që ndër të tjera thuhet se përmbajnë emra të dëshmitarëve dhe dëshmitë e tyre, sipas tij, kanë rënë në dorë të veteranëve të UÇK-së.

Gazeta Express ka kontaktuar sot Zyrën e Prokurorit të Specializuar rreth dorëheqjes së zëvendësprokurorit, por ZPO’ja ka preferuar të mos e komentojë këtë çështje.

Për një periudhë, zëvendësprokurori Ip e ka mbajtur pozitën e Prokurorit të Specializuar, pas largimit të David Schwendiman.

Në cilësinë e Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, ka intervistuar pjesëtarë të UÇK’së që janë thirrur në Hagë si të dyshuar.

Express ka mësuar se skandali i dosjeve që u dërguan në OVL-UÇK është arsyeja e largimit të zv.prokurorit.

Ndërkaq çështja e mijëra dosjeve që organizata e vereranëve të UÇK-së thotë se u kanë ardhur në zyrë mbetet akoma mister.

Nuk dihet se nga kush u sollën, por udhëheqës të organizatës thonë se ato përmbajnë të dhëna nga hetimet që po i kryen Tribunali Special.

Organizata e veteranëve të UÇK-së, që e kundërshton ekzistencën e Tribunalit Special, thotë se në dosjet  që u kanë ardhur në zyrë janë dokumente origjinale të Tribunalit.

Sipas akuzave, zyrtarë të Speciales e kanë bastisur dy herë zyrën e OVL-UÇK-së dhe i kanë konfiskuar dokumentet që u kanë sjellë persona të maskuar dy herë brenda dy javëve.

Ip është avokat britanik me përvojë të gjerë si prokuror ndërkombëtar edhe në Ballkan Perëndimor. Ai ka qenë zëvendësi i Schwendiman edhe si Prokurori i Specializuar dhe si Kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS), paraprijësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ip iu bashkëngjit TFHS-së në qershor 2012 si Zëvendëskryeprokuror dhe shërbeu si Kryeprokuror në Detyrë nga gusht 2014 në maj 2015 pas largimit të Kryeprokurorit të parë, Ambasadori Clint Williamson dhe para ardhjes së Schwendiman.

Zyra e Prokurorit të Specializuar heton krimet që pretendohet se janë kryer nga ish pjesëtarët e UÇK-së, nga viti 1998 deri në fund të viti 2000.

Kjo zyrë tashmë ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte edhe ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, që përbënin udhëheqjen e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT