Spartak Ngjela: SPAK me Byronë Kombëtare të Hetimit do godasin të gjitha ligësitë antishqiptare

Avokati i njohur Spartak Ngjela shprehet entuziast për mbledhjen e përbashkët midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës në 25 shtator që do të mbahet në Shkodër. Përmes një statusi në rrjetet sociale, avokat Ngjela theksoi se ky takim është i domosdoshëm, pasi sipas tij, të dyja qeveritë, nuk kanë pasur kurajë të bënin marrëveshje të karakterit politik dhe ekonomik deri më tani.

“Në 25 shtator është vendosur mbledhja e përbashkët midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Mbledhja do të mbahet në Shkodër. Gjithsesi, duke u nisur nga fakti që deri tani, të dyja qeveritë, nuk kanë pasur kurajë të bënin marrëveshje të karakterit politik dhe ekonomik, a janë tërhequr tani për të ecur drejt shqiptarizmit dhe të kenë parasysh këto pyetje”, deklaroi ai.

Më tej avokat Spartak Ngjela u ndal edhe tek reforma në drejtësi dhe pritshmëritë që kanë qytetarët për drejtësinë e re, për të cilën u shpreh se beson se falë politikës amerikane do të ndryshojë gjithçka. Ngjela theksoi se do të jetë SPAK me Byronë Kombëtare të Hetimit që do t’ua bëjë të qartë shqiptarëve të gjithë ligësinë antishqiptare të të korruptuarve të nivelit të lartë në Shqipëri.

“Deri tani nuk ka gjë. Kemi marrëveshje të këtij lloji midis Tiranës dhe Beogradit dhe Beogradit dhe Prishtinës; por asnjë marrëveshje të tillë midis Tiranës dhe Prishtinës politike. E kuptoni se çfarë qeverish i drejtojnë shqiptarët në të dy shtetet e tyre sot? Pse janë të tilla? Sigurisht, sepse është ajo arsyeja e parë që theksuam më lart… Po politika amerikane, nuk do t’i detyrojë ta ndryshojnë këtë rrjedhë? Sigurisht që duhet të ndërhyjë dhe t’i detyrojë të dyja palët që të hyjnë në një kooperim historik të të dy shteteve, për të hapur udhën e strukturuar drejt bashkimit kombëtar. Çfarë hapash të tjerë duhet të hedhin?

Urgjentisht duhet të krijojnë një fondacion me drejtim ekspertësh ndërkombëtarë. Fondacioni duhet të ketë një fond të lirë prej 500 milionë ose 1 miliard eurosh, për të ngritur universitetin shqiptar prestigjioz të nivelit të lartë, sepse të dy shtetet shqiptare kanë nevojë urgjente që të investojnë në intelekt. Kjo do të sjellë përmbysjen reale të mediokritetit në të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Dhe kurrë mos mendoni që kjo gjendje është krijuar nga rasti. Jo. Por do të jetë SPAK me Byronë Kombëtare të Hetimit që do t’ua bëjë të qartë shqiptarëve të gjithë ligësinë antishqiptare të të korruptuarve të nivelit të lartë në Shqipëri”, nënvizoi Ngjela.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT