Trazirat dhe arrestimet në Prishtinë, një “kronikë e paralajmëruar”

Rrëmuja që ndodhi sot në Prishtinë ku EULEX arrestoi dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Kosovës, ishte e pritshme.
Para pak ditësh kemi shkruar se trilleri i çuditshëm me të ashtuquajturat dosje të Hagës që mbërritën me thasë në zyrat e OVL në Prishtinë, vetëm dëm do t’i bëjë si veteranëve ashtu edhe vetë të akuzuarve të UÇK-së nga Gjukata Speciale.
Dy krerët e OVL: Hynsni Gucati e Nasim Haradinaj janë arrestuar dhe dërguar në Hagë. Prokuroria Speciale nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këto prangosje, por sipas gjasave ata do të pyeten dhe procedohen për pengimin e hetimeve ndaj krerëve të UÇK-së. Loja e sjelljes misterioze të dosjeve ka shkaktuar trazirë dhe është konsideruar nga Prokuroria Speciale si një akt që po dëmtonte hetimet.
Këtë e ka pohuar edhe vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e ka konsideruar lojën e dosjeve si të dëmshme për Kosovën.
“E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do ta dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit. Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
E në fakt, Ramushi ka të drejtë në arsyetimin e tij, pasi kushdo që e ka kurdisur këtë lojë, përveç një manovre protagonizmi, ka dëmtuar edhe vetë veteranët, të cilët janë përgjithësisht luftëtarë të shquar në luftë dhe nuk kanë pse përdoren në lojrat politike.
Edhe nëse Haga ka nisur një proces jo me fakte, do të jetë koha dhe vetëm procesi që do ta tregojë. Veprime si trilleri me dosjet, thjesht sa mund të krijojnë një mjergull, e cila edhe nëse krijon efekt spektakli, në brendësi vetëm do të komplikojë situatën. Gjykata Speciale është një institucion i Kosovës, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe çdo proces i saj, thjesht duhet të respektohet si në një shtet normal.
Gazeta Shqip