Turqia thirrje Kosovës: Mos hap ambasadë në Jeruzalem. Zhgënjyese që…

Turqia i bëri thirrje sot Kosovës që të mos hapë një ambasade në Jeruzalem, duke thënë se veprimi kështu do të minonte rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe do të dëmtonte çështjen Palestineze.
“Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes së Kosovës që t’i përmbahet këtyre vendimeve të Kombeve të Bashkuara që të përmbahen nga hapa të tillë që do të minojnë statusin historik dhe ligjor të Jeruzalemit dhe gjithashtu mund të parandalojnë që Kosova të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.
Deklarata citoi rezoluta të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se çështja Palestineze mund të zgjidhet vetëm me një shtet të Palestinës të pavarur, sovran dhe gjeografikisht të vazhdueshëm, me kryeqytetin e tij në Jeruzalemin Lindor, bazuar në kufijtë para 1967.
Turqia tha se ishte “zhgënjyese” që shteti me shumicë myslimane po konsideron një hap të tillë, i cili “do të përbënte një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar”.
“Ne nuk e shohim të drejtë ta ndërtojmë këtë proces kundër ligjit ndërkombëtar dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit Palestinez, tokat e të cilit janë nën okupim,” shtoi deklarata e Ministrisë së Jashtme turke.
Përgjigja e Turqisë erdhi pasi udhëheqësit serbë dhe kosovarë u takuan javën e kaluar në Uashington ku ata arritën një moment historik – duke rënë dakord për normalizimin e lidhjeve ekonomike.
Serbia dhe Kosova nënshkruan marrëveshje të veçantë me SHBA në të cilat Serbia ra dakord të zhvendoste ambasadën e saj në Jeruzalem. Kosova dhe Izraeli gjithashtu ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet dhe të vendosin lidhje diplomatike.