U shkarkua live nga kryeministri Rama, por Artan Lame e rehabiliton sërish si Drejtor në Kadastrën e Korçës

Në datë 27 korrik 2017, gjatë një takimi në ambjentet e kryeministrisë, Edi Rama shkarkoi nga detyra të gjithë drejtuesit e Hipotekave në Shqipëri. Sipas Ramës, me qindra ankesa ishin paraqitur nga Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, ku vihej re performanca tepër e dobët e regjistrimeve të lejeve të legalizimit.
“Është një tallje kolektive dhe individuale me njerëzit. Që të gjithë të largoheni nga detyra sot, që të paktën të ikni me dinjitet fundor nga kjo punë.”- iu drejtua Rama, drejtorëve të hipotekave në të gjithë vendin, ku në takim ishte i pranishëm edhe Artan Lame.´
Mes të shkarkuarëve ishte edhe Klajdi Tërova, Drejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Korçë. Ndryshe nga të tjerët të cilët kishin performancë të dobët, mbi Tërovën rëndonte edhe një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku si drejtues i Hipotekës Korçë, ai i kishte shkaktuar shtetit një dëm në buxhet, prej rreth 40 milionë lekësh të reja.
“Pesë ish regjistrues, mes tyre Klajdi Tërova dhe dy nëpunës akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej rreth 40 milionë lekësh, duke kryer transaksione të paligjshme. Nëpunësit në fjalë kanë tjetërsuar një sërë pronash shtetërore në llojin e tyre (psh nga në një pronë shkëmb në llojin arë”) e kësisoj kanë favorizuar interesat e personave të caktuar.” – thuhej në raportin e KLSH-së.
Pas thirrjes së kryeministrit Rama, kryeregjistruesi Klajdi Tërova dha dorëheqjen. Ndërkohë sot e kësaj dite nuk dihet nëse KLSH në atë kohë e dërgoi për ndjekje penale Tërovën dhe sesi vijuan më pas hetimet.
Por çuditërisht Klajdi Tërova është katapultuar sërish në hipotekën e Korçës, kësaj here me bekimin e Artan Lames. Fillimisht Tërova e hedh në gjyq vendimin e Ramës, me argumentin se “nuk e gjeja veten në akuzat që bëri Kryeministrit për Drejtuesit e ZRVPP”.
E mos të mjaftonte kjo, Artan Lame e rikthen sërish në detyrë Tërovën, duke i dhënë postin e Drejtorit të ALUIZNI-t në Korçë. Lame nuk morri parasysh as raportin e KLSH për tjetërsim pronash dhe as vendimin e Kryeministrit Rama që e shkarkoi live Tërovën, ku vetë Lame ishte prezent.
Pas shkrirjes së ALUIZNI-t dhe Hipotekës, në Korçës krijohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për këtë qark. Edhe këtu Klajdi Tërova nuk mbetet pa punë, por ai gradohet në postin e Nën/Drejtorit të ASHK Korçë. Gjatë kësaj periudhe ai ka abuzuar rëndë me funksionin e tij drejtues.
Sëfundmi, Lame shkarkon drejtoreshën e ASHK Korçë, Nadia Bandilli dhe në vend të saj emërohet i komanduar Klajdi Tërova. Ky është modeli sesi Artan Lame promovon njerëz të akuzuar për abuzime, në kundërshtim me KLSH dhe Ramën.
Gazeta Shqip