Ulet numri i aksidenteve rrugore, por ja qyteti që vijon të mbetet problematik
Pavarësisht rritjes së numrit të automjeteve në qarkullim me +113% krahasuar me vitin 2010, vdekshmëria për 100,000 mjete motorike në qarkullim në 7-mujorin e 2020 është ulur me -80% krahasuar me vitin 2010.
Të dhënat vijnë nga një analizë e detajuar e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Sipas këtyre të dhënave janë pajisur me lejedrejtimi 1,069,636 qytetarë deri në korrik 2020 ose +80% më shumë drejtues mjetesh se në vitin 2010 dhe vdekshmëria për 100,000 drejtues mjeti është ulur me -76% krahasuar me 2010.
Ndonëse objektivi i BE-së për 2020 është ulje e numrit të viktimave të aksidenteve rrugore me 50% në krahasim me 2010, Shqipëria duket se e ka tejkaluar për mirë këtë shifër.
I ftuar në “Wake Up” në Top Channel, Blendi Gonxhja, drejtor i DPSHTRR deklaroi se në shumë raste fajtorët kryesorë të aksidenteve janë këmbësorët.
“Gjysma e aksidenteve janë të lidhura me njerëz që kanë kapërcyer rrugën në vende të papërshtatshme”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Ai tregoi se një prej qyteteve më problematike për sa i përket numrit të aksidenteve është Tirana, pasi edhe numri i popullsisë në kryeqytet po rritet në mënyrë të frikshme.
“Shtimi i madh i popullsisë në Tiranë. Rrugët nuk janë rritur, ndërsa numri i banorëve në Tiranë po shtohet ndjeshëm”, tha Gonxhe.