VIDEO: Intervista e Giora Solar, reagon Tare: Butrinti nuk ka pse t’i jepet një fondacioni të huaj, aq më tepër pa asnjë eksperiencë në fushën e Trashëgimisë

Qëndrimi i një prej personaliteteve më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore botërore, ka rindezur debatin kundër dhënies me “koncesion” të menaxhimit të Parkut të Butrintit.

Profesori izraelit Giora Solar në një intervistë të botuar në DITA shprehet se ajo që po ndodh me Butrintin në Shqipëri, është korruptive dhe se në një vend normal nuk do të kishte ndodhur kurrë.

Me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me propozim të Ministrisë së Kulturës, Parku i Butrintit i është dhënë për menaxhim një fondacioni privat për një afat 10-vjeçar.

Qeveria shqiptare këmbëngul që nuk bëhet fjalë për koncesion (për sa kohë nuk ka një shoqëri private, e cila të marrë në përdorim një pjesë të një aseti shtetëror, nuk jemi aspak në një formulë të tillë), por për në një formulë bashkëpunimi, krijimin e fonacioneve të posaçme që mirëmenaxhojnë sitet kulturore, ku gjithmonë Ministria e Kulturës është pjesë.

Auron Tare, kryetar i STAB (Këshillit Shkencor të Pasurive Botërore Nënujore në UNESCO) tha se fakti që një nga njerëzit më të rëndësishëm të Trashëgimisë Botërore ka folur ashpër dhe qartë tregon se ka një aferë korruptive në këtë vendim.

“Butrinti, nga të gjitha qendrat tona të trashëgimisë, i ka qëndruar gjithë invazionit destruktiv ndaj trashëgimisë ndër vite, por ka një çështje shumë delikate; formula e menaxhimit që ka vendosur Ministria për Butrintin është i domosdoshëm por jo nga një fondacion i huaj. Nuk mundet që trashëgimia jonë kombëtare të menaxhohet nga një fondacion i huaj. Ne i kemi kapacitetet tona dhe fare mirë mund të krijojmë një fondacion të tillë me specialistë shqiptarë”,  shpjegoi Tare.

Tare ka folur lidhur me fondacionin ADF, dhe sipas tij ky fondacion merr një kompani angleze, e cila në CV-në e saj është shumë e vakët dhe nuk ka plane menaxhimi të qendrave botërore siç është Butrinti.

Kjo kompani është shumë modeste dhe plani i menaxhimit çalon e nuk reflekton problematikën që ka Butrinti, shprehet Tare.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT