VIDEO/ Si u krijua tregu i zi i bonove të privatizimit dhe si u zhvlersuan brenda pak muajve
Top Story

Historia e bonove ndahet në dy drejtime kryesore: çfarë ndodhi më bonot pasi u shpërndanë në duart e qytetarëve dhe së dyti, çfarë fati patën kompanitë e privatizuara.
Imagjinoni situatën në një familje shqiptare të vitit 1995. Njerëzit akoma nuk e dinin çdo të thotë biznes e aq më pak se çfarë do të thotë të blije në ankand aksione të një kompanie më bono privatizimi. Kështu, gjëja e parë që ndodhi ishte që ata filluan ti shisnin bonot në tregun e zi me vlerë shumë më të ulët.
“Njerëzit sigurisht me intuitën dhe natyrën e tyre praktike u priren më tepër drejte përfitimit afatshkurtër. Pra menduan ne kemi mundësi që këtë bono ta tregtojmë, unë nuk marr vesh nga blerja e ndërmarrjes, te pres unë sa te dale në treg ndërmarrja, te bëhem aksioner, po sa te investoj, sa te nxjerri ndërmarrja fitimet e para, më mirë po e shes bonon sot, me një vlerë të skontuar, më poshtë vlerës së tregut dhe po i marr këto para aq sa më takojnë ti marrë”, tregon Elvin Meka, ekspert i ekonomisë.
“Pra ajo që nuk ndodhi dot në shtet, ndodhi në privat. Ata që humbën shpresën për ti përdorur, ato i shisnin me vlerë simbolike në tregun e zi. Ndërsa ata që kishin likuiditete të lira filluan ti mblidhnin ato”, tregon Arbën Malaj, Ish Ministër i Financës.
Tregtia me bonot e privatizimit filloi të lulëzonte në tregun e zi. Kambistët bënin blerje në sasi të mëdha dhe i shisnin tek ata që donin të privatizonin diçka.