360 mijë doza të vaksinës së gripit mbërrijnë në Shqipëri, grupet që do vaksinohen

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në Ditën Botërore të të Moshuarve, ka vizituar të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë.

Manastirliu ka bërë me dije se programi i vaksinimit ndaj gripit do të vijojë edhe me të moshuarit dhe punonjësit e shtëpive të përkujdesit social në të gjithë vendin.

“Të moshuarit do të përfitojnë vaksinën e gripit, po ashtu edhe për të gjithë kujdestarët dhe stafet në qendrat e përkujdesit social do të kryhet vaksinimi ndaj gripit falas, për t’u mbrojtur nga viruset stinore, duke ditur që mund të ketë dhe një mbivendosje të viruseve për shkak të COVID19”, tha Manastirliu.

Duke shprehur mirënjohje për kujdestaret e shtëpisë së të moshuarve dhe të qendrave të përkujdesit për punën dhe sakrificën e bërë në këto muaj të vështirë të pandemisë, Manastirliu tha se është ndjekur strategjia e duhur për mbrojtjen e të moshuarve në qendrat e kujdesit social.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka financuar 360 mijë doza vaksine, të certifikuara dhe të siguruara përmes partnerëve ndërkombëtarë, të cilat si asnjë vit tjetër, kanë mbërritur shumë më herët, duke nisur procesin e vaksinimit falas për grupet e riskut.

Të parët që përfitojnë janë personeli shëndetësor në të gjithë vendin, të moshuarit dhe punonjësit në qendrat e përkujdesit, dhe në vijim, sipas kalendarit të përcaktuar nga Instituti i Shëndetit Publik, edukatorët, arsimtarët, të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët 2-5 vjeç, etj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT