Ambasada amerikane nuk do të monitorojë Këshillin Prokurorial të Kosovës: Proces i dëmtuar rëndë!

Ambasada amerikane në Prishtinë,  ka deklaruar sot se do të tërhiqet nga proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës,  e i ka cilësuar këto procese  si të dëmtuara rëndë.

Ambasada ka njoftuar se këtyre proceseve u mungon transparenca dhe ka një rritje të konflikteve të interesit.

“Meqenëse përfshirja e mëtejme e Ambasadës, mund të interpretohet si miratim i këtij sistemi të dëmtuar, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet më tej në njoftim.

Ambasada ka shkruar gjithashtu se janë të nevojshme  ndryshimet në kuadrin ligjor që mbështet Këshillin Prokurorial për të rivendosur transparencën dhe drejtësinë e këtij sistemi. Nga ana tjetër Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë kësaj jave ka shpallur zgjedhjet për anëtarë të rinj nga prokuroritë themelore të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u shpreh “thellë i shqetësuar” për vendimin e ambasadës amerikane

“Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës. Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se bashkë më shpalljen e zgjedhjeve, janë miratuar edhe dorëheqjet e disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial, pak ditë para se të shpallet konkursi për kryeprokurorë të shumicës së Prokurorive Themelore. Konkursi sipas ligjit duhet të shpallet me 1 nëntor.

Ky institut kritikoi “praktikën e kundërligjshme të dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës me mundësinë për të aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të një prokurorie përkatëse”.

Ai tërheq vërejtjen se sipas ligjit, “gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngrihet në detyrë në sistemin prokurorial”.

Kjo praktikë, thuhet në reagimin e institutit, “paraqet mungesë të integritetit, politikë të rrezikshme për sistemin prokurorial dhe dëshmi për kapjen e sistemit prokurorial nga një numër i vogël i prokurorëve”. Burimi/VOA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT