Asnjëherë nuk do e dimë sa jetë shqiptarësh u shkurtuan nga plehrat në Porto Romano

PROF.DOC SEIT SHAHLLARI

Ndotja në Porto Romano nga mbetjet, rrjedhjet toksike drejt nëntokës dhe detit si dhe gazrat me përmbajtje të substancave toksike kancerogjene që përfundonin në mushkritë e studentëve aty afër dhe banorëve, duket se po ja lënë vendin reabilitimit pas dekadash në qytetin ku kalon fluksi më i madh i turistëve gjatë stinës së verës. Mbase, asnjëherë nuk do të merret vesh se sa vite jetë u shkurtuan ose sa persona u prekën nga sëmundjet e rënda.

Gjetja e një zgjidhje për plehrat në Shqipëri ka bërë dekada histori: strategji,  plane, ligje, workshope seminare, gazeta dhe diskutime pa fund, megjithatë plehrat ngelën kërcënim për njerëzit dhe mjedisin në shumë zona të Shqipërisë. Ndërkohë, mbyllja e plagës se mbetjeve në “Porto Romano” është sukses, si ai i largimit të mbetjeve kancerogjene të Lindanit disa vite më parë. Në një shkrim të mëparshëm  “Sharra dhe problem emergjent i plehrave”.

Në fakt, Sharra bëri të mundur edhe shpëtimin e Durrësit nga situata katastrofike ku ishte katandisur. Ky park, mund të ofrojë për shumë vite, mundësinë e menaxhimit të mbetjeve për Tiranën, Durrësin dhe qendrat urbane për-rreth nëpërmjet riciklimit, eleminimit dhe depozitimit të sigurtë.

Pse dhe si u krijua Porto Romano ?

Të gjithë e dinë se shërbimi për mbetjet nuk mund të ofrohet nqs nuk paguajnë ata që i krijojnë ato. Durrësi për tre dekada nuk arriti të bënte funksionale politikën dhe infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve urbane sepse  Bashkia nuk mundi të krijonte burimet financiare duke neglizhuar një problem të madh në një zonë bregdetare me ndjeshmëri të lartë mjedisore. Pozicioni gjeografik i

Durrësit, shumë afër me bregdetin dhe nivelin e detit e bën të vështirë dhe shumë të kushtueshme infrastrukturën për  mbetjet.  Disa  zona (psh. Fshati  Radë) kanë refuzuar me forcë ndërtimin e landfilldit për shkak të perspektivës agroturistike. Parimi ligjor “kush ndot paguan” nuk mund të përjashtojë qytetarët e Durrësit ose rezidentët e përkohshëm në hotele, deri sa ata krijojnë mbetje për të cilat nevojitet shërbimi i menaxhimit të tyre. Parku i mbetjeve në Sharrë, në një distancë rreth 40 km nga Porto Romano, është natyrshëm alternativë optimale derisa pagesa për mbetjet është afërsisht e njëjtë për qytetarët e Tiranës dhe të Durrësit.

Fundi i Porto Romano – si inkubatori më i madh i ndotjes në zonën bregdetare

Plehrat e Durrësit po trajtohen në Sharrë duke bërë të mundur çlirimin e qytetit prej tyre. Situata me plehrat në Porto Romano, duket se është qetësuar ashtu siç qetësohet deti pas stuhisë në brigjet e

Durrësit. Ndotja nga mbetjet, rrjedhjet toksike drejt nëntokës dhe detit si dhe gazrat me përmbajtje të substancave toksike kancerogjene që përfundonin në mushkritë e studentëve aty afër dhe banorëve, duket se po ja lënë vendin reabilitimit pas dekadash në qytetin ku kalon fluksi më i madh i turistëve gjatë stinës së verës. Mbase , asnjëherë nuk do të merret vesh se sa vite jetë u shkurtuan ose sa persona u prekën nga sëmundjet e rënda. Në fakt, një hetim mjedisor duhet të paraprinte procesin e rehabilitimit për të parë se deri ku ka shkuar e keqa. E kam fjalën këtu për një studim i cili do të tregojë se sa është kontaminuar toka dhe ujërat nëntokësorë deri ku shkojnë përmasat ose efektet në distancë dhe në kohë. Media në vazhdimësi ka ndikuar në sensibilizimin e opinionit publik për çështjet mjedisore.

Si në shumë raste, edhe në rastin e Porto Romanos media luajti rol pozitiv në përshpejtimin e vendimmarrjes në dobi të komunitetit. Mua, më kanë ngelur në mëndje “kafshët që ushqeheshin me mbetje” në Spitallë dhe kam menduar për fatkeqësinë e atyre që kanë konsumuar produktet e tyre ose studentët që kanë thithur për vite gazin toksik. Opinioni publik ka nevojë për informacion, i cili përçon të vërtetën sidoqoftë ajo. Në rastin e “Porto Romanos” të spekulosh me fatkeqësinë e tërmetit, duke thënë se Bashkia e Durrësit nuk ka buxhet për menaxhimin e mbetjeve do të thotë t’i lësh qytetarët të zhytur në plehra, në mëshirë të fatit ose ashtu siç ishin. Megjithatë, plehra konsiderohen edhe mbetjet e letrës ku u shkruajtën plane menaxhimi pa fund, ku tregohen muhabete tenderash e histori të tjera, të cilat përfundojnë në Sharrë.

Prof.doc Seit Shahllari; Përgjegjës i Departamentit të Agromjedisit dhe Ekologjisë; Universiteti Bujqësor i Tiranës

Back to top button
LAJMET E FUNDIT