Basha takon ministrin e jashtëm grek, kryedemokrati bie dakord me Ramën për ‘Detin’

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Përmes një postimi në postimi në twitter, ministria e Jashtme e Greqisë bën me dije se kryedemokrati “Lulzim Basha mbështet zgjidhjen e çështjes së kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.”
Siç duket kemi një akord mes qeverisë dhe opozitës për “Detin” pas një sherri disavjeçar. Pas takimit, edhe kryedemokrati ka reaguar përmes një postimi në twitter. Kryedemokrati shkruan se ka riktheksuar qëndrimin e shprehur prej 10 vitesh se zgjidhja për çështjen e detit duhet të vijë përmes Gjykatës Ndërkombëtare dhe i përsërita ministrit Dendias domosdoshmërinë për anullimin e ligjit të luftës.
“Sot pata kënaqësinë të takohem me ministrin e jashtëm të Greqisë Nikos Dendias. Gjatë bisedës, nënvizuam domosdoshmërinë që në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok të zgjidhim çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve dhe të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat përfshirë edhe lehtësirst për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi.
Riktheksova qëndrimin e shprehur prej 10 vitesh se zgjidhja për çështjen e detit duhet të vijë përmes Gjykatës Ndërkombëtare dhe i përsërita ministrit Dendias domosdoshmërinë për anullimin e ligjit të luftës.
Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare e falenderova atë për mbështetjen e çmuar që Greqia po i jep vendit tonë në procesin historik të integrimit europian.”, shkruan Lulzim Basha në twitter.
Marrëveshja e firmosur nga Lulzim Basha në 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa qeveria e PS tentoi të gjejë një marrëveshje të re, por pa sukses.
Tashmë vendimin do e japë Haga. Greqia ka bërë publike kërkesat e saj për zgjerim me 12 milje, ndërsa Tirana zyrtare nuk ka paraqitur asnjë detaj se deri ku do shtrihet shteti grek dhe a cënohet ‘Deti’ shqiptar.