Bisedë 60 minutëshe me Angela Merkel në video, Rama zbulon çfarë diskutoi me Kancelaren (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë 60 minutshe me video me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Në një status në Facebook, Rama shprehet se ata diskutuan mbi planin e investimeve të BE për Ballkanin Perëndimor, progresin e Shqipërisë në çeljen e negociatave, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria.
“Me Kancelaren Merkel, biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë në dhjetor.
Edhe njëherë si gjithnjë, kënaqësi e veçantë biseda me Kancelaren gjermane, një mike e shkëlqyer që e njeh, e kupton dhe e ndjek rajonin tonë e Shqipërinë gjithashtu, me detaje e vëmendje krejt të posaçme!,” shkruan Rama.