Bllokohet Këshilli Politik: Bylykbashi e Vasili i kthejnë përgjigje Gjiknurit: Asnjë hap para, pa u shprehur OSBE-ODIHR

Opozita jashtëparlamentare i kthen përgjigje letrës së Gjiknurit, duke i bërë të ditur se PD dhe LSI nuk do të avancojë në shqyrtimin e çështjeve të Listave të Hapura pa arritur një konsensus për problemin e koalicionit të përbërë.
Në letrën e përbashkët që anëtarët e Këshillit Politik: Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i janë përgjigjur anëtarit të Këshillit të PS-së, bëjnë të ditur se ata nuk do të hynë në diskutim në Këshill, pa u shprehur ekspertët e OSBE-ODIHR për çështjen e koalicioneve.
Bylykbashi dhe Vasili, në letrën e tyre, i bëjnë të ditur mazhorancës se do të duhet urgjent që këtë element, pra mos dakortësinë e palëve për koalicionin e përbërë, do të duhet PS ta dërgojë urgjent tek OSBE-ODIHR. “Në këtë kuadër ripërsërisim kërkesën tonë që Këshilli t’i drejtohet si hap i parë, pa asnjë vonesë tjetër, OSBE/ODIHR-it. Kjo do t’i hapë rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi ka hapja e plotë e listave të kandidatëve”, theksojnë në letrën e tyre Bylykbashi e Vasili.
Letra e Plotë
Z. Gjiknuri,/Këshilli Politik funksinon vetëm mbi tërësinë e rregullave të marrëveshjes politike të 14 janarit 2020 dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke iu drejtuar OSBE/ODIHR-it është rregull themelor i saj. Pa zbatimin e këtij mekanizmi nuk ka zgjidhje të pranuara siç përcakton marrëveshja dhe pa zgjidhje të pranuara nuk ka konsensus në reformën zgjedhore. Konsensusi është mekanizmi themelor i funksionimit të Këshillit Politik si instrumenti vendimarrës për çdo ndryshim të Kodit Zgjedhor.
Mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë të qarta që palët në Këshill të kërkojnë konsensusin në kuadër të Këshillit Politik. Reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për antarësim në BE. Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore që tashmë është shtruar publikisht dhe zyrtarisht në Këshill nga opozita, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it.
Qëndrimi juaj refuzues i shprehur në të gjitha seancat e Këshillit Politik që nga data 14 shtator e së fundmi me shkresën e datës 29 shtator 2020, është bërë pengesë dhe ka bllokuar funksionimin e Këshillit Politik si dhe ka minuar zbatimin e Marrëveshjes se 14 janarit.
Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Opozita do të vazhdojë të ngulë këmbë në Këshillin Politik që rregullat e funksionimit të tij të zbatohen të plota, konsensusi të jetë mekanizmi i vetëm. Në këtë kuadër ripërsërisim kërkesën tonë që Këshilli t’i drejtohet si hap i parë, pa asnjë vonesë tjetër, OSBE/ODIHR-it. Kjo do t’i hapë rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi ka hapja e plotë e listave të kandidatëve.@GazetaShqip