Çështja e detit/ Rama: Unë e kërkova rihapjen, jo Greqia! Se e mbyllën plaçkitësit Sali, Luli e Ilir

Kryeministri Edi Rama teksa fliste për projekte infrastrukturore ditën e sotme, u pyet nga gazetarët edhe për çështjen e detit.
Kreu i qeverisë tha se hapjen e çështjes së detit nuk e kërkoi Greqia, por ishte Shqipëria ajo që donte zgjidhjen e saj.
Rama u shpreh se çështja u mbyll me marrëveshjen e bërë nga Berisha, Basha e Meta, dhe se ishte qeveria e tij që e rihapi për të vënë drejtësi.
“Çështjen e detit nuk e hapi Greqia, e hapi Shqipëria. Se atë e mbyllën Saliu, Luli dhe Iliri me atë marrëveshjen e famshme. Po çështjen e hapa unë, për të ardhmen e përbashkët. Kryeministri grek Mizotaqis dhe ministri grek Dendia, kanë vënë në dispozicion të gjithë vullnetin e tyre të mirë për zgjidhjen e kësaj çështje.
Ata ranë dakord me ne për ta çuar çështjen para Drejtësisë Ndërkombëtare, në duart e një gjykate që ka të gjithë ekspertizën për të dhënë drejtësi për këtë problem. Kjo është zgjidhja ideale për ne.
Marrëveshja e mëparshme ishte e padrejtë, të tjerat janë skandale mendore, shprehje të ligësisë që furnizon injorancën me qëllim në funksion vetëm të pushtetit të ca mediokërve që duan me çdo kush plaçkë në Shqipëri. Shqiptarë këta gjasme, këtyre nuk i shkon 1 sekondë t’ju prekë gjumin as deti, as ajri, as toka, po vetëm plaçka. Këta janë plaçkitës të lindur, dhe e kanë treguar sa herë kanë pasur pushtet. Kush bie pre e tyre është dembel nga trutë e kokës,” tha Rama.