Durrësi tronditet nga 45 tërmete, sizmologu: Jo panik, vijojnë pasgoditjet 26 Nëntorit

Rreth 45 pasgoditje tërmeti janë shënuar prej mesnatës së mbrëmshme dhe deri tani, goditje që kanë pasur epiqendër detin Adriatik, 20 km larg qytetit të Durrësit të njëjtën epiqendër të tërmetit të 26 Nëntorit.
Në një prononcim për gazetën “Shqip”, përgjegjësi i monitorimit të rrjetit sizmik Edmond Dushi tha se këto pasgoditje janë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. “Nga 26 nëntori 2019 e deri më tani janë afro 3 mijë pasgoditje tërmeti me magnitudë jo më shumë se 2 apo 3. Janë thjesht pasgoditje që nuk kanë efekte dëmtuese dhe mund të zgjasin më shumë se një vit”, tha sizmologu Edmond Dushi.
Sipas Dushit, zona e goditur është e njohur si zonë sizmike, por nuk duhet të kemi panik, pasi tërmete si ai i 26 nëntorit, me magnitudë të lartë ndodhin rrallë.
“Nuk mund të parashikojmë fenomene të tilla por nga monitorimi që i kemi bërë rrjetit, nuk mendoj se mund të kemi përsëritje të një fenomeni të tillë si ai i 26 nëntorit ndaj nuk duhet të futemi në panik. Pasgoditjet mund të ndodhin edhe pas një viti nga tërmeti i 26 Nëntorit”, tha Dushi.
Gazeta Shqip