“E kam në xhep se isha duke pirë cigare!”, “Më ra në shesh e u bë pis”, si justifikohen qytetarët kur përballen me policinë për maskat

Thuajse 10 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit që detyron mbajtjen e maskave në çdo ambient, me përjashtim të bareve dhe restoranteve, janë vendosur rreth 4 mijë gjoba në të gjithë vendin.
Por si reagojnë qytetarët kur janë përballur me patrullat e Policisë së Shtetit dhe policive bashkiake për çështjen e maskave.
“M’u lag nga shiu dhe e hodha!”, “E kam në xhep se isha duke pirë cigare!”. “S’kam! Tani do ta blej te farmacia e parë që do gjej!”, “Më ra në shesh e u bë pis”, “Sa dola nga lokali, tani po e vendos”,… e deri tek “Nuk dua ta vendos”.
Sipas Gazetes Si, po hasen vështirësi në gjetjen e kontratave të energjisë elektrike për t’u faturuar 3 mijë, apo 5 mijë lekshin e gjobës së marrë.
Në rastet kur personat e gjobitur figurojnë të ndarë me familjarët e tyre në certifikatë dhe pa kontratë me OSHEE, marrja e gjobës është e pamundur.
“S’mund të gjobisim babain për faj të djalit. Juridikisht kjo bie ndesh me ligjin përsa kohë janë të ndarë në certifikatat familjare. Bie ndesh edhe me Kushtetutën, që e përcakton se përgjegjësia është individuale”, thonë burimet per gazeten.