Erdhi për të përgjuar muxhahedinët, kush është iraniani që u fut në të dhënat kompjuterike të shqiptarëve. Ja si vajza e zonjës së shtëpisë ku jetonte me qira ra në gjurmët e tij

Bijon Pooladrag është 45-vjeçari iranian i arrestuar dy ditë më parë në Shqipëri, pasi akuzohet se ka ndërhyrë në të dhënat kompjuterike të shqiptarëve në mënyrë të paligjshme.
Gjykata e Tiranës dha sot masën e arrestit me burg ndaj tij.
Hetimet kanë zbuluar se ai komunikonte përmes një aplikacioni me emrin “Telegram”, të cilin e përdorte duke e lidhur me numra të telefonëve celularë të personave të tjerë.
Ai arrinte të merrte kodin e verifikimit të aplikacionit në forma të ndryshme, dhe më pas aktivizonte aplikacionin në aparatet e tij kompjuterike.
Në kontrollin e shtëpisë ku jetonte me qera u gjetën 4 telefona, një USB, tre dokumente udhëtimi, 10 karta SIM dhe dokumente të tjera.
Por si ra policia në gjurmët e 45 vjeçarit?
Dyshohet se ai kishte ardhur në vendin tonë për të përgjuar muxhahedinët që prej vitesh qëndrojnë në Manzë.
45-vjeçari jeton në një familje shqiptare nga janari duke paguar qira prej 10 mijë lekësh të rinj.
Ai ka thënë se u largua nga Irani për shkak të regjimit politik dhe se organizata iraniane këtu jep ndihmë ekonomike prej 300 eurosh.
Vajza e vogël e zonjës së shtëpisë ku jetonte iraniani ka parë që disponon adresë personale në “Telegram”, pavarësisht se nuk e ka hapur vetë.
Ajo ka tentuar të komunikojë me motrën dhe kunatin nëse e kanë hapur ata. Ajo ka gjetur disa biseda në gjuhën iraniane të cilat i ka bërë screenshoot.
Pas tre ditësh bisedat janë fshirë.
Vajza dyshoi te 45-vjeçari për shkak se bisedat ishin në gjuhën iraniane ndërsa telefonin e mbante për arsye sigurie.