Erion Dasho: Absurde të bësh maskën me detyrim dhe në qendër të Tiranës organizon ahengje, shtimi i shtretërve nuk është zgjidhje

Eksperti i shëndetit publik Erion Dasho vijon të jetë kundër masave të marra nga qeveria shqiptare kundër koronavirusit në vendin tonë. Gjatë një interviste televizive, Dasho u shpreh se, shtretërit në dy spitalet Covid janë ezauruar, ndërsa shtoi se shtimi i shtretërve nuk është zgjidhja për situatën në të cilën ndodhet vendi.

Sipas tij, është e nevojshme që shërbimi i pacientëve duhet të ofrohet sipas protokolleve, duke theksuar se nëse ndodh e kundërta do të ketë më shumë viktima.

“Nga informacionet që kam unë, nga kolegët që punojnë në Shqipëri, kapaciteti i spitaleve Covid, 1 dhe 2, tashmë është ezauruar. Pra, nuk ka më vend për pacientë të rinj. Në këtë mënyrë është e detyrueshme hapja e spitaleve të tjera. Por fatkeqësisht kjo është një masë e përkohshme, një masë që nuk e zgjidh problemin. Sepse nëse numrat do të vazhdojnë të rriten me këto ritme, nëse shërbimi ndaj pacientëve nuk do të ofrohet sipas protokolleve prurjet do të jenë më të shpejta se sa mundësia për të krijuar shtretër të rinj”, tha eksperti i shëndetit publik.

Erion Dasho foli edhe për atë që ai e cilëson si absurditet që po ndodh në vendin tonë. Teksa qeveria detyron maskën në rrugë, Bashkia e Tiranës ka hapur festivalin e qofteve, siç e quan ai. Për Dashon, është e pamundur që qytetarët të zbatojnë masat me aq rreptësi sa janë vendosur nga qeveria.

“Kjo është pakuptim. Më vjen mirë që e sillni në vëmendje të publikut këtë skandal që ka ndodhur. Nuk mundet që ne të zbatojmë një masë me aq rreptësi, sa është mbajtja e maskës në publik, të rendim pas gjobave, të rendim me policë dhe me inspektorë sanitarë pas qytetarëve që nuk mbajnë maskë dhe paralelisht të organizosh festivalin agro-kulturor në mes të Tiranës apo festën në Mokër”, u shpreh eksperti i shëndetit publik Erion Dasho.

Ky i fundit shpesh herë ka kritikuar qeverinë për masat që ka marrë, duke i konsideruar ato si të paefektshme në luftën kundër pandemisë globale Covid-19.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT