Gjykata liron Mond Çekiçin, gazetari: Skandal, si prokurorja para dorëheqjes bëri qokën e fundit

Edmond Koçi i njohur si i forti i Durrësit, me nofkën “Mond Çekiki” është liruar nga Gjykata e Durrësit dhe kjo si kërkesë e prokurores Rabiana Halili.
Gazetari i kronikës, Elton Qyno me anë të një reagimi në rrjetet e sociale e ka cilësuar si një skandal një fakt të tillë, pasi sipas tij, Mond Çekiçi nuk bëri asnjë ditë paraburgim dhe u lirua me argumentimin se ishte i infektuar nga Covid. Vendimi i prokurores është dhënë dy ditë përpara se ajo të paraqesë dorëheqjen përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Më poshtë historia e shpjeguar nga gazetari.
Vendimi/ Si u lirua Mond Çekiçi?
Rabiana Halili, bën “qokën” e fundit, liroi Edmond Koçin me pretendimin se dyshonte që ishte me “COVID-19”. KLP, miratoi dy dite me pare dorëheqjen dhe largimin nga sistemi të prokurores Rabiana Halili. Edmond Koçi, pronar me 32.5 për qind në kompaninë “Liburnet 1” për ngarkim-shkarkim në Portin e Durrësit. Policia i gjeti pistoletë dhe 98 plumba.
Edmond Koçi ose siç njihet ndryshe në Durrës me nofkën “Mond Çekiçi”, i cili nuk ka qëndruar asnjë ditë në burg, megjithëse policia e këtij qyteti, në 24 shtator 2020 e arrestoi në flagrancë mbi një motor, për akuzën e mbajtjes pa lejë të një pistolete, prodhim austriak të quajtur “Steyer” kalibër 9 mm.
Skandali i lirimit të Edmond Koçit nga burgu, duket se është “orkestruar” nga avokatët e “Mond Çekiçit”, mjekët e Durrësit dhe prokurorja e çështjes, Rabiana Halili, e cila mësohet se gjatë caktimit të masës së sigurisë, i ka kërkuar gjyqtarit, Petraq Çuri, të lerë në “arrest shtëpie” dhe jo “arrest në burg”, Edmond Koçin, që në Durrës njihet si pjesë e klanit të “Bandës së Durrësit”.
Prokurorja Halili, ka argumentuar se:“…kemi të bëjmë me një subjekt përsëritës së veprës penale të mbajtjes pa lejë të armëve…”. Por masën e butë të arrestit e kërkonte, pasi “Edmond Çekiçi” ndodhej i shtruar Spitalin Rajonal Durrës, me simptoma të dyshuara të “Covid-19”, akoma të pakonfirmuara nga mjekët.
E habitshme se si kaq shpejt pas arrestimit, Edmond Koçi, shfaq probleme me shëndetin, kur nga ana tjetër policia e kishte arrestuar mbi një motor, teksa lëvizte shëndoshë e mirë dhe lirshëm në Durrës dhe me armë me vete. Pas lirimit në 26 shtator 2020 të Edmond Koçit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, që kishte kërkuar prokurorja Rabiana Halili, kjo e fundit në fillim të javës së kaluar, i është drejtuar me një kërkesë dorëheqje Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar vullnetarisht largimin e saj nga radhët e prokurorisë Shqiptare.
Një burim pranë KLP-së tha se ishte miratuar kërkesa për largimin vullnetar nga puna të prokurores Rabiana Halili, duke bërë që automatikisht ajo të dalë jashtë sistemit të drejtësisë. Por mesa duket para largimit, Rabiana Halili, ka kryer dhe “qokën” e fundit, duke mos lejuar që Edmond Koçi, i arrestuari nga policia me pistoletë pa lejë dhe plot 98 fishekë të mbyllej në burg.
Juristët thonë se “Akuza e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”, parashikon një dënim që varion nga 5 deri në 7 vite burg, dhe është e patolerueshme që një prokuror apo gjyqtar të aplikojë, masën e sigurisë “arrest shtëpie”, kur ligji e sanksionon saktë, se e vetmja masë që mund të jepet është “arresti në burg”. “…në rastin e Edmond Koçit, ky është një personazh i botës së krimit në Durrës dhe i dënuar më parë për mbajtje pa lejë të armëve.
“Absolutisht ai nuk duhet të ishte liruar nga prokurorja, pasi është përsëritës në kryerjen e një krimi, dhe duhet të mbyllej në burg…”-tha një tjetër burim.
Kundër prokurores Rabiana Halili, ka qenë dhe gjyqtari i çështjes, Petraq Çuri, i cili argumenton se nuk mund të japë një masë tjetër sigurisë, ndryshe nga çfarë ka kërkuar prokurorja e çështjes. Ndër të tjera në vendim gjyqtari thotë se: “…këtu kemi të bëjmë me një person i cili ka qenë dënuar më parë për të njëjtën vepër penale dhe për rrjedhojë caktimi i një mase sigurimi si ajo e “arrestit në shtëpi” nuk do t’i sigurojë organit të akuzës pjesëmarrjen e tij në hetim dhe në gjykim. Mbasi praktika gjyqësore dhe ajo hetimore ka treguar se këta lloj subjektesh, largohen dhe nuk paraqiten para gjykatës…”.
Më poshtë gjyqtari shton se:“…nisur nga këto tregues rrezikshmërie, gjykata vlerëson se kjo masë nuk I përgjigjet shkallës së kësaj rrezikshmërie dhe gjendjes aktuale të kriminalitetit në vend. Por kjo gjykatë,konformë nenit 244/3 të KPrP, nuk mund të japë një masë sigurimi më të rëndë se ajo që propozon prokurori, dhe për rrjedhojë pavarësisht opsioneve kundërshtuese që ajo ka, është e detyruar për efekt të ligjit ta miratojë kërkesën e caktimit të masës së “arrestit në shtëpi…”.
Në fund të vendimit gjyqtari Petraq Çuri, ka urdhëruar se “…i arrestuari Edmond Koçi të qëndrojë në banesën e tij të ndodhur në Durrës, pallati i firmës “Lin-Em”, pranë pishinës dhe të mos largohet prej saj…”.
Prokurorja Halili është telefonuar disa herë dhe sërish nuk ka dhënë një përgjigje rreth këtij skandali. Në dosjen hetimore thuhet se:”…në 24 korrik 2020 rreth orës 10:30, pas informacionit të marrë për Edmond Koçi, se ka armë me vete dhe me të po qarkullonte me një motor ngjyrë gri, me parga AR 757, tip “Honda”, drejtuar nga shoku i tij Orges Skënderi, policia ka ushtruar kontroll dhe ka konstatuar se Edmond Koçi, në marsupin që mbante i është gjetur dhe sekuestruar një armë tip pistoletë, prodhim austriak në trupin e së cilës kishte të shkruar “Steyr”, e kalibrit 9mm.
Gjatë një kontrolli në banesë ju sekuestruar dy kuti me 98 plumba pistolete dhe plot 8800 euro…”. “Mond Çekiçi”, konsiderohet nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që është pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezulton të jetë dënuar edhe më parë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe “Mosbindjes ndaj urdhrit të forcave të policisë”. Në muajin Maj 2009 Edmond Koçi, është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”./Gazeta SHQIP