Gratë naftëtare refuzojnë kërkesën e Ramës për dialog: Hajde ulu këtu këmbëkryq me ne

Naftëtarët e Ballshit nuk kanë pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të dialoguar.
Ata janë shprehur se nëse Rama kërkon të flasë atëherë të shkojë t’i takojë aty ku mbajnë grevën e të shohë gjendjen e tyre.
“Të vijë kryeministri të na shikojë gjendjen, të na japë një zgjidhje dhe pastaj shohim e bëjmë e ndërpresim ose jo. Nuk jemi dakord fare, nuk e ndërpresim grevën. Të vijë dhe të ulet këmbëkryq të na shikojë si jemi dhe në ç’gjendje jemi”, ka thënë njëra prej grave greviste.
Përmes postimit në Twitter Rama i ftoi të ndërpresin grevën e urisë.
“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu!Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm”, ka shkruar Rama.