Hyn në fuqi Akti Normativ/ Nga sot maska e detyrueshme kudo, gjoba për ata që nuk e zbatojnë

Nga sot ka hyrë në fuqi Akti Normativ për mbajtjen e detyrueshme të maskës në çdo ambient, masë e marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Për ata që nuk zbatojnë këtë rregull, është parashikuar një gjobë nga 3 mijë lekë deri në 5 mijë lekë, në rast përsëritje.
“Te drejten e dhenies se mases administrative për mosperdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake sipas modelit te gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i kundravajtjes administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike. Mënyra e ekzekutimit të kundravajtjes administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrisë përgjegjëse për energjinë, ministrisë përgjegjëse për financat dhe ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë”,- theksohet në vendimin e qeverisë.
Nga mbajtja e maskës me detyrim janë të përjashtuar:
Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes.
Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës.
Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive.
Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë.
Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të
Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det.
Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes