“Iliri makinist”/ Meta i përgjigjet Ramës, por godet dhe PD e LSI: Nuk ka marifet që të shpëton
Presidenti i Republikës i është përgjigjur kryeministrit Edi Ramas, i cili në tëitter ka përdorur batuta groteske në lidhje me krerët e opozitës, ku ka futur edhe Ilir Metën.
Kreu i shtetit, ka përdorur si metaforë ndaj Ramës, titullin e dramës që është luajtur dje në Presidencë nga autori Edmond Budina, ndërkohë që ka goditur edhe PD-në e LSI-në që dogjën mandatet e bojkotuan zgjedhjet lokale të 2019-s.
Meta, në një postim në faqen zyrtare të kreut të shtetit në Facebook, shkruan:“Profeti i kokoshkave t’i lërë batutat bajate dhe të respektojë çdo pikë e presje të Marrëveshjes Historike të 5 Qershorit. Shefin e pakicës së pakicës, nuk ka formulë e marifet që e shpëton nga data 25 prill. Por fajin për këtë situatë të rëndë psiqike, prapë e ka Opozita e Bashkuar. Se ajo e mësoi keq duke ja lënë fushën bosh për të kapur 100% të pushteteve”.
Më herët kryeministri Edi Rama replikoi në distancë me kundërshtarin e tij politik, kryedemokratin Lulzim Basha. “Programi i Lulit është një tramvaj me shalqi që nuk piqen kurrë, me Ilirin makinist, Monikën fatorino, Saliun shkarkues gazrash dhe vetë Lulin pasagjer VIP”, ishte statusi kryeministrit Rama. @Gazeta Shqip