Intervista/ Floresha rrëfen vuajtjen 7-vjeçare në Siri, vrasja e burrit dhe vajzës 16 vjeçe: Atje nuk kishte varr

Floresha Rasha është shtetasja e parë nga Shqipëria që u nxor nga kampi Roxh në Siri. Pak minuta pasi kemi nisur udhëtimin nga Bejruti drejt Tiranës, Floresha jep ekskluzivisht një rrëfim të gjatë për gazetarin Muhamed Veliu të Top Channel. Ka parë shumë. Ka jetuar për disa vite si një grua në shtetit islamik por në të shumtën e përgjigjeve e jep me fjalët nuk e di.
Muhamed Veliu: Kishit kohë që e ëndërronit këtë ditë për tu riatdhesuar në Shqipëri?
Floresha Rasha: Po, kishim një vit që prisnim të riktheheshim
Muhamed Veliu: Fëmijët si janë? Si ndjehen?
Floresha Rasha: Shumë mirë. Mirë janë.
Muhamed Veliu: Po djali i madh?
Floresha Rasha: Shumë mirë.
Muhamed Veliu: Mund të ma tregosh momentin kur Gledisi, drejtori Antiterrorit shqiptarë erdhi në kamp edhe ju tha ne do t’ju marrim ne do t’ju çojmë në Shqipëri?
Floresha Rasha: Ishte kënaqësi për mua se gjithmonë e kam prit që të vinin e të na merrnin dhe u gëzova normalisht që dikush u kujdes për neve se ishte shumë vështirë atje ku ishim.
Muhamed Veliu: Gratë shqiptare që kanë mbetur atje a ka nga ato që nuk duan të vinë në Shqipëri?
Floresha Rasha: S’e di. Të gjithë duan të vinë. Besoj se të gjitha duan të vinë. Unë nuk kam qenë shumë e lidhur me motrat pasi kemi dalë nga Bagusi. Kam qenë në spital. Kam ndjetur shumë pak në Hol. Vetëm dy muaj.
Floresha Rasha tregon se për fëmijët e saj në kamp janë kujdesur ato që ajo i quan motrat pasi u plagos.
Floresha Rasha: Unë kam qenë në spital. Fëmijët i kanë mbajtur motrat. Unë kam qenë në spital. Kam qenë një vit e një muaj në spital.
Muhamed Veliu: Çfarë ndodhi, pse ishe në spital?
Floresha Rasha: Isha e plagosur.
Muhamed Veliu: E plagosur në këmbë?
Floresha Rasha: Po.
Muhamed Veliu: Pas ndërhyrjes të mjekëve si ndjeheni?
Floresha Rasha: Tani më mirë jam.
Muhamed Veliu: A keni nevojë për një operacion tjetër?
Floresha Rasha: Po e kam nevojën për një operacion tjetër.
Në mars të vitit 2019 Floresha u dërgua në kampin Al Hol e më pas atë Roj. Cdo gjë është e vështirë atje….jetesa, fëmijët nuk kanë kushtet.
Muhamed Veliu: Të ndalemi pak tek siguria në kamp. Si ndjeheshit për sa i përket sigurisë?
Floresha Rasha: Kemi qenë të frikësuar se kur ata donin na fusnin në burg, na rrihnin na bënin ca donin ata.
Muhamed Veliu: Pra forcat kurde?
Floresha Rasha: Po. Djalin ma kanë marrë dhe e kanë mbajtur 4 muaj në burg. Jo vetëm djalin tim por të gjithë djemtë mbi 12 vjeç e lart.
Muhamed Veliu: Kur e liruan?
Floresha Rasha: Tani që na ndihmuan për të na marrë e sollën.
Muhamed Veliu: Doja t’ju pyes për Eva Dumanin. Pse nuk erdhi Eva?
Floresha Rasha: Unë nuk e di se nuk kam qenë aty. Nuk e di. Kam qenë në kampin Roj.
Floresha jep këto detaje se shkoi në Siri ku u mbajt 7 vjet atje peng.
Floresha Rasha: Unë shkova….përpara ishte burri im atje …Diamanti…pastaj kam shkuar unë pas 6 muajsh. Shkova të takoja burrin tim të rrija 3 muaj edhe të kthehem por nuk munda të kthehem.
Muhamed Veliu: Tani që kanë kaluar disa vite a jeni e penduar për këtë veprim të shkuarjes në Siri?
Floresha Rasha: Nuk e di, nuk e di çfarë të them.
Muhamed Veliu: Si ishte për një shqiptare të jetonte në Shtetin Islamik siç ishte rasti juaj?
Floresha Rasha: Mirë, s’e di.
Muhamed Veliu: Rregullat që kishte vendosur Shteti Islamik si ju dukeshin?
Floresha Rasha: Mirë ja ashtu siç ne kemi rregullat në Islam. Nuk kishte ndonjë gjë të vështirë për shembull. Ne ishim shtëpiake në shtëpi. Nuk kishte ndonjë gjë të vështirë për ne.
Muhamed Veliu: Ishte ideja e vetja personale që Diamanti të shkonte në Siri apo dikush tjetër i mbushi mendjen?
Floresha Rasha: Unë nuk kam qenë e informuar kur Diamanti ka ikur. Besoj se ka qenë dëshira e Diamantit që ka ikur?
Muhamed Veliu: Pra dëshira e tij?
Floresha Rasha: Ka ikur me dëshirën e tij.
Muhamed Veliu: Kur ai ishte gjallë çfarë ju thoshte?
Floresha Rasha: Nuk thoshte gjë. Thoshte që ishte i lumtur që ishte me ne.
Muhamed Veliu: A ju thoshte se nëse do të vritej dhe binte sheid (dëshmor në emër të Islamit) ishte një gjë e mirë për të?
Floresha Rasha: Po, deri sa ai u nis për atë gjë normal.
Muhamed Veliu: Pra u nis për të luftuar në Shtetin Islamik dhe për të rënë Sheid?
Floresha Rasha: Po.
Muhamed Veliu: A ju vjen keq që bashkëshorti juaj zgjodhi këtë rrugë të luftojë për Shtetin Islamik dhe la jetën e kështu duke lënë fëmijët jetim?
Floresha Rasha: Ne që jemi mysliman themi kështu ka dashur Allahu…kështu ka qenë e shkruajtur për ne.
Pas vrasjes të burrit Diamanti, Floresha sipas rregullave të shtetit islamik nuk mund të rrinte e ve. U martua me luftëtarin nga Kaçaniku i Kosovës Lavdrim Muhaxheri i cili edhe ai u vra. Floresha do të përballej më tej edhe me një tjetër vdekje në familje.
Muhamed Veliu: A është e vërtetë që në Siri krahas bashkëshortit keni humbur edhe vajzën?
Floresha Rasha: Po.
Muhamed Veliu: Sa vjeçe ishte?
Floresha Rasha: 16-të.
Muhamed Veliu: Çfarë i ndodhi vajzës?
Floresha Rasha: Nuk e di. Nuk kam qenë aty. Unë jam largu për spital. Pas dy javësh më kanë sjellë lajmin që vajza është vrarë.
Muhamed Veliu: Ku është varrosur?
Floresha Rasha:Atje nuk kishte varr. I ka gjuajtur avioni dhe në atë vend është lënë ku ka qenë. /Gazeta Shqip