Juristi Romeo Kara: Berisha nuk i shmanget dot drejtësisë, e ka detyrim ligjor të dëshmojë për vrasjen e Hajdarit

Avokati Romeo Kara, ka deklaruar dje se Berisha duhet të dëshmojë patjetër para drejtësisë. Pak ditë më parë ish-kryeministri, Sali Berisha, tha në një intervistë televizive se nuk ka çfarë të dëshmojë më para prokurorisë, pasi e ka bërë një dëshmi të tillë pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Përmes një postimi në Facebook avokati tha se kjo nuk e justifikon Berishën, pasi ligji e detyron atë të dëshmojë ashtu siç duhet, pa qenë i detyruar për asgjë tjetër.

“Si person që ka dhënë dëshmi pranë Ambasadës USA në Tiranë dhe për më tepër që është mburrur publikisht në seancë parlamentare se, ishte ai dhe dëshmia e tij, që dënuan vëllezërit Haxhiaj, patjetër që Sali Berisha e ka për detyrim ligjor që këtë dëshmi ta japë aty ku duhet sipas parashikimeve ligjore brenda objektit dhe kufijve ligjore vetëm për faktet që përbëjnë objekt prove.

Tashmë i thërritur ligjërisht si dëshmitar, ai është i detyruar të paraqitet në gjykatë, t’u përmbahet urdhrave të saj dhe t’u përgjigjet me vërtetësi pyetjeve që i bëhen. Ai nuk do të mund të detyrohet të dëshmojë për fakte, nga të cilat mund të lindte përgjegjësia penale për të”, shkruan ai.

Sakaq ai tregon se, ligjërisht nuk mund të përdoret dëshmia e atij që refuzon ose që nuk është në gjendje të tregojë personin ose burimin nga të cilët ka marrë dijeni për faktet që pyetet. Dhe se vetëm kështu do të provohet publikisht vlefshmëria e dëshmive publike të Sali Berishës dhe asaj të dorëzuar në ambasadën amerikane.

Më tej Kara shprehet se komenti i Berishës për këtë çështje në atë intervistë është vetëm justifikim, ndërsa mes ironisë ai thotë se Berisha i druhet kësaj çështjeje. Pasi, sipas avokatit, Sali Berisha po sheh edhe në këtë rast vetëm interesin e tij duke shtypur edhe të tjerë.

“Përtej çdo sensi dhe logjike, një ish-kryetar partie politike, ish-president dhe ish-kryeministre, nuk pranon të dëshmojë kur e thërret prokuroria dhe gjykata apo më keq akoma, padit prokuroren që e ka thërritur atë si dëshmitar. Saliu provoi se, përpara interesit të tij nuk e njeh ligjin, burrërinë, nderin, prokurorinë dhe gjykatën dhe çdo vegël të tij, të cilat i kanë mbajtur ison deri më tani atij, duke e bindur atë, se brenda kësaj etnie shtetërore që quhet Shqipëri, ai është vetë ligji në shkallën sipërore të tij.

Sot ai nuk kurseu paturpësisht asnjë prokuror që deri më tani i ka shërbyer me devocion vetë atij duke treguar se ai nuk e njeh mirënjohjen dhe burrërinë. Saliu do mbahet mend vetëm si trimi apo arroganti i pushtetit”, shkruan ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT