Kanë afat 48 orë/ Mafiozët e huaj që fshihen në Shqipëri, OFL në shënjestër për pasurinë

Policia arrestoi këtë të shtunë një person që kryente krime kibernetike në Shqipëri, ndërsa pak muaj më parë arrestoi një vrasës nga Franca që fshihej në vendin tonë. Këto janë vetëm dy raste të kryerjes së krimeve nga shtetas të huaj që fshihen në Shqipëri nga shumë të tilla, për të cilat jo vetëm që janë kryer dhe vijojnë të kryhen hetime, por për ta vepron edhe struktura OFL, e miratuar në Parlament në 31 janarin e këtij viti përmes një akti normative.

Në nenin 5 pika 3 të ligjit të miratuar nga Parlamenti thuhet se “subjekte të këtij akti normativ janë edhe personat fizikë dhe juridikë, shtetas shqiptarë apo të huaj, si dhe persona pa shtetësi, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, apo për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara në elemente të faktit për përfshirje në çdo krim apo formë të terrorizmit dhe të financimit të tij, të kryera brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas parashikimit të legjislacionit në fuqi, për masat kundër financimit të krimit e terrorizmit”.

Burimet e Policisë konfirmuan për gazetën Shqip, se rastet janë shumë, ku personave të huaj, por me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Shqipëri u është dërguar formulari për deklarimin e pasurisë, me të njëjtin afat si shqiptarët e dyshuar; atë të 48 orëve.

“Ka pasur raste, kur formularët kanë mbërritur për llogari të tyre nga përfaqësuesit ligjorë” – duke shtuar, se për ta hetimet do të kryhen më gjerësisht, përmes informacioneve shtesë edhe nga strukturat ligjzbatuese të vendeve të tyre të origjinës.

Rasti më domethënës është ai i një vrasësi francez të akuzuar dhe dënuar nga Gjykata e Nantes në Francë. Ai pas krimit kishte udhëtuar me tranzit Italinë dhe me destinacion final Shqipërinë. Pikërisht në “Rrugën e Barrikadave” kishte marrë një banesë me qira dhe jetonte aty pa i hyrë “gjemb në këmbë”.

Por, informacionet e autoriteteve franceze vunë në lëvizje agjentët shqiptarë të antikrimit, të cilët në rrugë operative mësuan vendndodhjen e tij dhe bënë të mundur arrestimin e tij në janarin e këtij viti.

Në njoftimin e saj zyrtar për këtë rast, Policia tha në atë kohë se personi për të cilin dha vetëm inicialet T.Q. është person me rrezikshmëri të lartë dhe se akuzohet për vrasje, grup i strukturuar kriminal dhe armëmbajtja pa leje. Sipas ligjit francez maksimalisht këto vepra penale janë të dënueshme me “Burgim të përjetshëm”.

Ky person dyshohet se ka vrarë me pistoletë një shtetas dhe më pas është larguar në drejtim të Shqipërisë, ku ka hyrë me dokumentacion të rregullt para se të shpallej në kërkim ndërkombëtar.

Për të është dërguar formulari i OFL, pasi dyshohet se një pjesë e të pasurive të tij janë vënë përmes aktivitetit kriminal. Verifikimet në Shqipëri kanë zbuluar disa pasuri të tij, për të cilat Policia thotë se në respekt të marrëveshjes jo vetëm me autoritetet franceze, por edhe Eurpol për të huajt, të dhëna të tjera nuk bëhen publike. Këto të dhëna i dërgohen vetëm Ambasadës Franceze në Tiranë.

Por, francezi i arrestuar nuk është as i pari dhe ndoshta as i fundit që ka zgjedhur të strehohet në Shqipëri. Pak kohë para se të dënohej në Itali për lidhje me organizatën mafioze “Ndrangheta”, Amedeo Matacena, një ish-deputet i partisë së Silvio Berlusconit i hodhi sytë drejt Shqipërisë për të investuar miliona euro në projekte biznesi.

Të paktën në 5 raste, autoritetet shqiptare kanë bërë arrestime apo sekuestrime për llogari të kolegëve italianë, duke goditur anëtarë të Sacra Corona Unitas dhe “Ndranghetas” dhe bllokuar pasuri të tyre, të investuara në Shqipëri.

Tashmë për të gjitha emrat e tyre, apo lidhjet që kanë lënë në Shqipëri OFL po u dërgon formularët për të deklaruar pasurinë brenda kohës së përcaktuar prej 48 orësh. Më pas mbetet vendimmarrja e SPAK për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

Gjurmët e këtij fenomeni shtrihen thellë në kohë, prej vitit 1998, kur një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit vinte në dukje se prokurorët shqiptarë ishin asokohe të shqetësuar për aktivitetin e bosëve të mafias italiane, të përfshirë në trafiqe në Shqipëri.

Një dekadë më pas, Shërbimi Informativ Shtetëror raportonte se mafia italiane “kishte shenjëstruar kumarin, bastet, kazinotë”. Interesi i mafias italiane për vendin e vogël përtej detit Adriatik u zgjua një dekadë pas njohjes dhe lidhjes së pakteve me grupet shqiptare që emigruan drejt Italisë në fillim të viteve ‘90.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT