“Kush ka bërë krime do…”/ Rama: Si do veprohet me fëmijët dhe të rriturit e kthyer nga Siria

Pas lajmit të mirë të rikthimit në Shqipëri të 4 fëmijëve nga kampi famëkeq i Al-Hol në Siri, kryeministri Edi Rama foli edhe për mënyrën sesi do të integrohen këta fëmijë.
“Struktura është gati, jo vetëm për këta fëmijë, por edhe të tjerë. Me psikologë, mësues, mjekë. Do bashkëpunohet me të afërmit e tyre.”, tha Rama.
Po si do veprohet me ata që janë në moshë madhore? A do mbahet përgjegjësi ligjore?
“Kush ka bërë krime, do t’i nënshtrohet drejtësisë”, tha Rama. Rama sqaroi se shteti shqiptar po ndjek “këdo që është shtetas i Republikës i Shqipërisë, pavarësisht moshës”.
Teksa foli për rikthimin e fëmijëve të tjerë, Rama tha se ka prindër të radikalizuar, por edhe situata brenda në kamp është komplekse.
“Nxjerrja e fëmijëve nuk është e lehtë. Janë më mes edhe prindër të radikalizuar. Ka forca të ndryshme në kamp. E gjitha është komplekse. Puna e bërë brenda në kamp ka qenë intensive. Është e vërtetë se disa fëmijë janë në vështirësite e tyre, por nuk dua të jap detaje”, tha Rama.
Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha së bashku me djalin e familjes Dumani, Endri Dumani janë shqiptarët që u nxorën nga kampi famëkeq “Al Hol”.