Mësuesit në rrezik nga Covid, jo të gjithëve u bëhet tamponi

Situatë alarmante paraqitet në shkollat e Tiranës ku çdo ditë konstatohen vatra të virusit Covid-19. Në adresë të Gazeta “Shqip” mbërrijnë shumë ankesa nga stafe të mësuesve që ndonëse punojnë në kolektive mësuesish të prekur nga Covidi, nuk u bëhet tamponi.
Duke mos e ditur gjendjen ku janë, mësuesit, të prekur ose jo vijojnë punën, megjithëse rregullorja e do që kontaktet e personave të prekur nga koronavirusi të ekzaminohen përmes tamponit.
Por si është procedura që ndjek Instituti i Shëndetit Publik në të tilla raste? I pyetur nga “Shqip”, epidemiologu Dritan Ulqinaku tha se kryerja e tamponit si rregull sugjerohet nga epidemiologu që ka në administrim zonën ku ndodhet vatra e infeksionit, ose mjeku i familjes. Këta të dy, në koordinim me njëri-tjetrin i kërkojnë ISHP të kryejë tamponin. Por kryerja e analizës diagnostikuese nuk bëhet tek të gjithë.
“Është kontakti më i ngushtë i personit të infektuar me Covid-19 të cilit i kryhet tamponi. Jo të gjithë e bëjnë. Kështu është gjykuar”, thotë për “Shqip” zv/drejtori i ISHP Dritan Ulqinaku.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje janë kryerja e analizave të gjakut në shërbimin privat si dhe kryerja e tamponit po në spitalin privat.
Ndonëse janë pjesë e sistemit arsimor, mësuesit ndjehen të braktisur nga shteti i cili duhet tu kryente minimumi testet seriologjike stafit pedagogjik ku të identifikonte rastet të cilët e kanë kaluar apo janë duke e kaluar covidin.
Megjithëse u tha se kjo do të bëhej, kanë kaluar më shumë se 4 javë nga nisja e vitit të ri shkollor dhe asnjë test serologjik nuk është kryer deri tani në asnjë shkollë.
Por jo vetëm kaq. Në kushtet kur vendi fqinj Italia ka marrë masa për mbylljen e disa shkollave të kthyera në vatra Covidi dhe zhvillimin e mësimit online, duket se te ne është ende dilemë si do vijojë procesi mësimor.
Asnjë vendimmarrje deri tani, ndonëse në shkolla po bëhet gati infrastruktura për internetin me qëllim mbarëvajtjen e mësimit përmes platformës online./Gazeta Shqip