Meta: Vendi po rrëshqet drejt një junte me “grusht të hekurt”, shqiptarët po përgatiten për referendum

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas raportit të “Freedom House” se pandemia COVID-19 ka thelluar krizën për demokraci.
Sipas Metës, konkluzionet e Organizatës konfirmojnë qartësisht se vendi po rrëshqet me shpejtësi drejt një junte me “grusht të hekurt”.
Ekspertët që plotësuan pyetësorin për Shqipërinë, që ashtu si të gjithë të anketuarit nuk identifikohen në raport për arsye sigurie dhe që të flisnin sa më hapur, përmendin ndër sfidat më të mëdha për sa i takon demokracisë në Shqipëri anashkalimin e çdo procesi demokratik dhe faktin që qeveria qeverisi me dekrete që ndryshonin çdo ditë; gjykatat ishin mbyllur dhe masat e qeverisë nuk mund të sfidoheshin; Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale dhe kufizimet mbyllën dhe gjykatat më të ulëta.
Postimi i Metës
Konkluzionet e Organizatës “Freedom House” për nivelin e demokracisë në Shqipëri gjatë pandemisë COVID-19, konfirmojnë qartësisht se vendi po rrëshket me shpejtësi drejt një junte me “grusht të hekurt”, ku siç thuhet në raport: “sistemi i kontrolleve dhe balancave përgjithësisht ka dështuar, legjislativi është shkrirë një me ekzekutivin, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale, dhe qeveria ka anashkaluar çdo proces demokratik”.
Alarmuese janë gjithashtu të dhënat e raportit se “krahu ekzekutiv që ishte edhe më parë dominues në këtë sistem, u fuqizua edhe më shumë. Policisë iu dhanë më shumë kompetenca, duke bërë arrestime dhe vendosur gjoba të mëdha dhe njerëzit janë hetuar për postimet e tyre në Facebook, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Paketa antishpifje megjithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, po vazhdon të kalojë në procesin parlamentar dhe ka përkeqësim të qasjes tek informacioni dhe transparenca qeveritare.”
Shqiptarët, të cilët kanë njohur izolimin dhe shtypjen e të drejtave njerëzore si askush tjetër, po përgatiten për Referendumin më të rëndësishëm në këto 30 vite kundër tiranisë dhe babëzisë së një bande, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as të drejta të njeriut, as Familje dhe as Atdhe.