“Mos fut hundët”/ Presidenca i përgjigjet Ramës me dy nene: Nuk je ministër i Shëndetësisë, presim nga Manastirliu…

Ilir Meta dhe Edi Rama janë përfshirë sot në një tjetër debat, pasi kreu i shtetit iu drejtua ministrisë së Shëndetësisë dhe kryeministrit me një letër, ku kërkonte informacion mbi masat e marra për COVID-19, pas shpërthimit të rasteve.

Pas letres, reagoi menjëherë Edi Rama, i cili tha se presidenti nuk ka asnjë kompetencë për të futur hundet në punët e ekspertëve.

Kjo solli edhe reagimin e presidencës, sipas të cilës, kreu i shtetit ka të drejtë të kërkojë informacion. Zëdhënësi i presidentit, citon dy nene të kushtetutës.

Reagimi i presidencës

Shumë i shqetësuar nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrit të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve që kanë humbur jetën, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, sikundër u bë sot publike, i është drejtuar me një letër zyrtare ministres së Shëndetësisë, Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit, në respekt edhe të Kushtetutës:

? NENI 23, PIKA 2
“Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore”

? NENI 93, GËRMA “H”
Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:
h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.

Kryeministri ende në detyrë, së pari bën mirë të lexojë me kujdes të vetmen Kushtetutë që ekziston në Republikën e Shqipërisë.

Së dyti i kujtojmë se është dekretuar për të qenë edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe jo ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Presidenti Meta ka bërë gjithçka, brenda kompetencave që i jep Kushtetuta dhe ligji, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe i kujtojmë Kryeministrit ende në detyrë se edhe ai vetë e ka falenderuar publikisht për këtë.

Presidenti Meta pret me shumë durim përgjigje për të gjitha pyetjet e adresuara sot ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sikundër është në pritje, në vijim edhe të komunikimit të drejtpërdrejtë që ka patur me znj.Manastirliu, për të sjellë propozime për vlerësimin e figurave të shquara të mjekëve e infermierëve me kontribut të vyer në luftën kundër COVID-19.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT