Moska vijon ofensivën në Ballkan, Lavrov viziton Bosnjën brenda javës

Pas lëvizjeve politike në Mal të Zi ku forcat filoserbe dhe filoruse kanë ardhur në qeverisjen e vendit, Moska zyrtare vijon me intensitet ofensivën diplomatike në Ballkan.
Pas deklaratës së ashpër të ministrisë së Jashtme ruse ku akuzohej Edi Rama për heqjen e kufijve me Kosovën, që e cilësonte si një “akt të rrezikshëm e me pasoja”, shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, ka vendosur të vizitojë “kalanë” më të fuqishme proruse në Ballkan, Republika Srbska-n e Bosnjë e Hercegovinës.
Lajmin e bëri të ditur Sputnik, portali i kremlinit, i cili thekson se Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të vizitojë Bosnjën dhe Hercegovinën në 27 dhe 28 Tetor. Lavrov do të bisedojë në Sarajevë krerët më të lartë të Bosnjës, por edhe me drejtuesit e Republika Srbska-s.
Rajoni që drejtohet nga njeriu më i afërt i Putinit në Ballkan, Milorad Dodik, thuajse të gjithë buxhetin për sigurinë dhe punësimin e ka të siguruar nga Rusia, që ka ngritur në Banja Luka dhe qendrën e shpërndarjes së Gazprom-it për Ballkanin.
Menjëherë pas deklaratës së ministrisë së Jashtme ruse për Shqipërinë dhe Kosovën, kryeministri i ri i mandatuar i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç deklaroi se “Mali i Zi është shteti i dytë serb në Ballkan”. /GazetaShqip