Na duhet të ushtrojmë syqeshjet! Kush gëzohet nën një maskë? Po bëhemi gojëmbyllur, gjysmakë e të përhumbur, a e dëgjon kush këmbanën e fortë?

Nga Arlinda Çausholli

Nga dita e enjte, në vend të testimeve të shtuara në numër do të kemi gjoba të shtuara. Nuk e di se si do ta qeverisë shteti ynë tekën e një fëmije të vogël apo edhe një të moshuari të ngadaltë, me këshilla apo me urdhër, këtë do ta shohim në vijim.

Në vetvete, mbajtjen e maskave për t’u mbrojtur nga COVID-19 në mjedise të mbyllura i kuptoj, por maskat e detyruara në mjedise të hapura nuk kam për t’i kuptuar e as pranuar ndonjëherë.

Nuk e di se si mund të ekzistojë një urdhër shtetëror të të kufizohet ajri, kur është më i nevojshëm se dioksidi i karbonit. Njerëzit do të ecin gojëmbyllur, gjysmakë e të përhumbur. Kush gëzohet nën një maskë?

A e dëgjon kush këmbanën e fortë?

Shqisat njerëzore po dalin nga përdorimi një e nga një. Në fillim veshët me kufje, tani goja me maska, hunda gjithashtu, dora po ashtu… veç shtëpisë, vendi ku mblidhemi dhe shkëputemi nga bota e jashtme dhe nga njëri-tjetri.

Por kemi, sytë. Për të parë afër dhe larg, për t’u vëzhguar e për t’u menduar… e jo vetëm për ngjyrën e tyre. Kemi sytë dhe na duhet të ushtrojmë syqeshjet. Ato do të zëvendësojnë buzëqeshjet, të paktën deri në pranverën e vitit 2021.

Ateherë kur llogaritë me veten, me vendin, me njerëzit do të përplasen në dallgët e gjithmonshme, ku Shqipëria do të përmbytet nga propagandat e premtimet, ku një karrige merr rëndësinë e jetës vetë, ku daullja nuk është gjë fare krahas përplasjes së mikrofonave dhe komunikimit politik të të gjithë atyre që maskën nuk e hoqën asnjëherë.

Kemi sytë dhe ata janë bërë për t’u hapur, për të parë përtej e për të kuptuar më tej. E ne të syqeshim me sa mundemi, pavarësisht gjithçkaje. Eshtë koha të dimë të përdorim tamam një shqisë, që mund të të ndryshojë minutin, e minuti ditën.

E mbase edhe jetën.

——

Botuar në DITA nga blogu i autores. Ndalohet ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT