Naftëtarët e Ballshit marrin vendimin ekstrem, ndërprenë kontaktet me jashtë: Vetëm me barrelë do dalim nga këtu

Grevistët e urisë në Ballsh kanë ndërprerë të gjitha kontaktet me pjesën tjetër jashtë ambienteve ku janë vendosur.

Vendimin ekstrem naftëtarët e morën pas neglizhencës që kanë treguar sipas tyre instancat shtetërore dhe drejtuesit e kompanisë azerbajxhanase.

Grevistët nuk kanë lejuar ekipin mjekësor dhe autoambulancën të kryejnë kontrollin për shëndetin e tyre. Prej mëngjesit të sotëm grevistët kanë ndërprerë kontaktet edhe me mediat.

Sokol Dautaj kryetari i sindikatës së naftëtarëve, pjesëtar në grevën e urisë thotë se nuk do tërhiqen nga vendimi ekstrem derisa të gjendet një zgjidhje.

Sipas tij, grevistët janë shpresë plotë nga premtimi i kryeministrit Rama. Nëqoftëse edhe pas këtij premtimi nuk do të gjendet një zgjidhje, naftëtarët e ngujuar në grevë urie kërcënojnë se do të dalin nga ambientet e grevës vetëm me barrelë.

Prej 11 ditësh, 10 naftëtarë ndodhen në greve urie për pagat e papaguara të 900 naftëtarëve, me vlerë rreth 8 milionë euro. /Top Channel/

Back to top button
LAJMET E FUNDIT