Një nga vendet skeptike për integrimin, Zef Mazi takime në Holandë, çfarë kërkoi për Shqipërinë

Kryenegociatori i Shqipërisë Zef Mazi zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Holandë, një nga vendet skeptike në lidhje me negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.
Ndërsa informoi palën holandeze mbi përparimin dhe arritjet konkrete të Shqipërisë që prej vendimit të Këshillit në mars 2020, kryenegociatori Mazi referuar dhe arritjeve konkrete dhe zbatimit të kërkesave të BE-së, kërkoi mbështetjen e Holandës për finalizimin e kuadrit negociues të Shqipërisë në Këshill dhe organizimin e Konferencës së parë Nderqeveritare, menjëherë pas saj.
“Kryenegociatori Mazi theksoi pandryshueshmërinë e kursit euroatlantik të Shqipërisë, duke vënë në dukje se objektivi madhor i anëtarësimit në BE është vendim strategjik dhe politik, prioritar që gëzon mbështetjen e gjerë të të gjithë spektrit të vendit”, thuhet në njoftimin për mediat.
NJOFTIM PER SHTYP
Nga data 30 shtator – 1 tetor 2020, Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Hollandë.
Gjatë qëndrimit, Kryenegociatori Mazi kreu takime me Drejtoren e Përgjithshme, Ministren për Evropën, Anita van den Ende, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hollandës.
Gjithashtu ai zhvilloi takime me një numër parlamentarësh, përfaqësues të lartë të partive politike në parlamentin hollandaz, si dhe me akademikë dhe drejtues të think-tanke-ve më influente në qarqet politike, qeverinë hollandeze, mediat dhe opinionin publik në Hollandë.
U shkëmbyen mendime dhe u informua pala hollandeze mbi përparimin dhe arritjet konkrete të Shqipërisë që prej vendimit të Këshillit në mars 2020 që hapi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE.
U nënvizua gjithashtu angazhimi i plotë i qeverisë dhe i Shqipërisë për të vijuar pareshtur dhe me më shumë vendosmëri punën me rezultate në ecurinë e reformave. Këto do të çojnë në vendimin për mbajtjen e Konferencës së parë Nderqeveritare, brenda Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së.
Bazuar në arritjet konkrete dhe zbatimin e kërkesave të BE-së, Z. Mazi kërkoi mbështetjen e Hollandës për finalizmin e kuadrit negociues të Shqipërisë në Këshill dhe organizimin e Konferencës së parë Nderqeveritare, menjëherë pas saj.
Kryenegociatori Mazi theksoi pandryshueshmërinë e kursit euroatlantik të Shqipërisë, duke vënë në dukje se objektivi madhor i anëtarësimit në BE është vendim strategjik dhe politik, prioritar që gëzon mbështjetjen e gjerë të të gjithë spektrit të vendit.
Bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor nga këndvështrimi gjeostrategjik, politik, ekonomik, moral dhe të qasjes “strikte dhe të drejtë”, për të siguruar kështu besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e procesit të zgjerimit.