Olsian Çela irritohet me punën e prokurorëve: Shqipëria nuk mund të kthehet në Siçili, krimi po bën ligjin në Elbasan

Kryeprokurori, Olsian Çela, ka shpërthyer në kritika të forta ndaj prokurorëve. Edhe pse me reformën në drejtësi ka një decentralizim të prokurorisë për kryeprokurorin Çela Prokuroria e Elbasanit nuk është në ritmet e duhura.
Ditën e djeshme ai ka shkuar në Elbasan, ku është takuar me strukturat e prokurorisë në këtë qytet dhe ka shprehur shumë pakënaqësi për punën e tyre. Çela tha se niveli i krimit në Elbasan ka pësuar rritje dhe strukturat e shtetit duhet të japin një përgjigje për këtë, duke u kërkuar atyre më shumë punë dhe përkushtim për të frenuar krimin e organizuar në këtë qytet që tashmë po kthehet në vend risku.
“Niveli i krimit është në rritje. Kemi të bëjmë me krimin e rëndë, me krimin e organizuar në qytetin e Elbasanit dhe nuk po bëhet fjalë për nivelin e krimit të zakonshëm, por kemi të bëjmë me krimin e organizuar. Këto janë shenja të qarta të krimit të organizuar dhe këto kërkojnë një përgjigje ekzemplare nga ana e strukturave të shtetit. Një qytet nuk mund të tolerohet të kthehet në një skenë krimi.
Këto kërkojnë vëmendje të veçantë nga strukturat e shtetit, nuk mundet që një qytet të kthehet në skenë lufte mes bandave për kontrollin e territorit”, u shpreh ai. Sakaq kryeprokurori kërkoi që, niveli i bashkëpunimit me strukturat e shtetit të ngrihet në nivele të tjera. Pasi, sipas tij, kësaj strukture nuk i mungon eksperienca e nevojshme për të përballuar të tilla raste.
Ndërkohë kryeprokurori evidentoi si një hap të rëndësishëm eliminimin e korrupsionit dhe veprimeve të jashtëligjshme në të gjitha prokuroritë, duke kërkuar këtu hetim edhe për çështje më të vogla që kanë përmbajtje dhune. “Çdo element i evazionit fiskal duhet të hetohet nga institucionet e porsangritura. Çdo aset me origjinë të jashtëligjshme duhet të hetohet.
Nëse nuk godasim asetet e krimit, nuk do të kemi sukses. Edhe veprimet e dhunshme në rrugët e qytetit, nga to mund të dalin lidhje me elementë të grupeve kriminale. Ka nevojë për një qasje strategjike, të ngrihet niveli i organizimit”, tha Çela.
Thirrje për bashkëpunim
Ndërsa theksoi edhe njëherë se çështja e Elbasanit duhet parë më seriozisht dhe të bëhet më shumë punë, Çela u kërkoi institucioneve anti-kriminale të bashkëveprojnë. Sipas tij, çështja e Elbasanit nuk është e lehtë, por gjithsesi forcat policore nuk duhet të lejojnë bandat të dalin më të fortë se ta. Kryeprokurori evidentoi që, nëse nuk rritet bashkëpunimi dhe siguria Shqipëria do të kthehej në një vend të pasigurt si Siçilia në vitet ‘70-të. “Këto janë ngjarje që janë vetëm maja e ajsbergut me atë që çfarë ndodh në Elbasan.
As Elbasani dhe asnjë qytet tjetër nuk mund të kthehet në kontroll të grupeve kriminalë. Asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë se shteti, të rinjtë e Elbasanit nuk mund të rekrutohen nga bandat. Nuk mund të jetë kjo perspektiva e tyre. Për këtë arsye, unë vlerësoj dhe gjykoj se është e domosdoshme që si nga policia ashtu edhe nga prokuroria, niveli i bashkëpunimit, i organizimit të ngrihet në nivele të tjera. Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme. Shqipëria dhe aq më tepër Elbasani nuk mund të kthehet në një model të Siçilisë së viteve ‘70- ‘80.
Askush nuk duhet të ndihet i vetëm përballë krimit. Duhet të kërkoni mbështetjen e të gjitha strukturave”, deklaroi kryeprokurori. Sakaq ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve policore në të gjithë vendin të bashkohen me Policinë e Elbasanit për të parandaluar krimin atje, para se të marrë përmasa të papërballueshme, duke u kërkuar strukturim më efektiv.
“Të mbështesim Prokurorinë dhe Policinë e Elbasanit me të gjitha mjetet që ata do të kenë nevojë. Përgjigja për situatën që po ndodh në Elbasan nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e Policisë dhe Prokurorisë në Elbasan, ka struktura të tjera në nivel qendror që duhet të përfshihen, ashtu siç duhet të koordinohet puna me Prokurorinë e Posaçme”, theksoi ai.