Paralajmërimi i nënkryetarit të ISHP-së: Mund të kemi deri në 500 raste në ditë

Rastet e regjistruara në dy ditët e fundit kanë ngritur alarmin në Institutin e Shëndetit Publik.
Është nënkryetari i saj, Dritan Ulqinaku, i cili në emisionin “Repolitix” tha se situata është e frikshme dhe brenda pak ditëve mund të kemi mbi 500 raste në ditë nëse qytetarët nuk mbrohen duke respektuar masat: mbajtjen e maskave dhe distancimit social.
“Maska është një sensibilizim detyrues pasi po afron një stinë që ka filluar e frikshme. Ka një rritje të jashtëzakonshme në të gjithë Europën jo vetëm tek ne. Situata ndoshta nuk ka të bërë shumë me numrat se sa me gjendjen e rënduar të atyre që janë të shtruar. Situata është shumë dinamike dhe kësaj i ruhemi. Shumë shpejt mund të kemi dyfishim të rasteve ditore, mbi 500 raste pasi kemi të bëjmë me një infeksion respirator që përhapet shumë shpejt. Edukata e sjelljes është e domosdoshme ndaj këtij virusi, edhe me një cedim të vogël mund të kthehesh në një pacient shumë shpejt”, tha Ulqinaku.