Përzgjedhja e hetuesve në Byronë e Hetimit, reagon Ambasada e SHBA: Proces i vështirë, por i domosdoshëm për të gjetur më të mirët e Shqipërisë

Ambasada e SHBA në Tiranë uron kandidatët të cilët kanë kaluar në fazën tjetër, në garën për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa e cilëson procesin si të vështirë.
“Urime kandidatëve të cilët kaluan në raundin tjetër të procesit së përzgjedhjes për Byronë Kombëtare të Hetimit. Jo të gjithë ia dolën sepse procesi është i vështirë, por i domosdoshëm, për të gjetur më të mirët e Shqipërisë”, shkruan Ambasada.
Ndërkohë, dje BKH ka nxjerr dhe listën e kandidatëve që kanë kaluar testin e radhës, atë të aftësisë fizike dhe do t’i nënshtrohen testit të esesë me shkrim.
“Komisioni i Përzgjedhjes në datë 23.10.2020, mbylli procesin e Testit për Aftësitë Fizike dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit.
Për të parë listën me kandidatët e kualifikuar, shikoni listën e kandidatëve që gjendet në LINK 1, bashkëlidhur.
Kandidatët e kualifikuar, në datën 26.10.2020, do t`i nënshtrohen Testit të Esesë me shkrim.
Testi i Esesë do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, udhëzimet mbi zhvillimin e testit gjenden në LINK 2, bashkëlidhur.
Testimi i Aftësive Fizike u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri”, njofton BKH.