Presidenti Meta apel Bashkive: Hiqni dorë nga kapja e votave me presione për bukën e gojës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u ka bërë apel ditën e sotme 61 bashkive të vendit që të përmirësojnë shërbimet për qytetarët, dhe të mos mendojnë vetëm për kapje votash.
“Rritja e taksave që paguajnë qytetarët nuk u është kthyer në shërbime më të mira, përkundrazi në degradim të tyre,” shkruan Meta në Facebook.
Kreu i Shtetit bën thirrje që taksat e qytetarëve të mos keqperdoren për të shtuar fondin e pagave për fushatë partie.
Statusi i plotë
Është shumë e rëndësishme që 61 bashkitë të përqëndrohen në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe jo në “kapjen” e votave me pahir dhe presione ordinere me bukën e gojës.
Rritja e taksave që paguajnë qytetarët nuk u është kthyer në shërbime më të mira, përkundrazi në degradim të tyre.
Kur kjo ndodh në Elbasan, mendoni në bashkitë e tjera.
Çdo zyrtar të bëjë detyrën me përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve dhe komunitetit.
Fatkeqësisht reforma administrative u keqpërdor për të përqëndruar pushtetin vendor në pak duar e jo për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
Taksat e qytetarëve të mos keqperdoren për të shtuar fondin e pagave për fushatë partie, por për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
NDAL abuzimit me pushtetin vendor nga cilido!