Projekti në Apoloni, Margariti: Trashëgimia duhet të jetë e prekshme për të gjithë

Projekti “Prek trashëgiminë” u zhvillua këto ditë në parkun kombëtar të Apolonisë, duke sjellë një formë të re të perceptimit të trashëgimisë kulturore.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ndër të tjera shprehet se trashëgimia duhet të jenë e prekshme për të gjithë, ku përmes këtij projekti personave me aftësi ndryshe iu dha mundësia të njohin objektet muzeale.

“Trashëgimia jonë kulturore duhet të jetë e prekshme për të gjithë, edhe për ata që arrijnë të “shohin” përmes mollëzave të gishtave. Projekti “Prek trashëgiminë”, realizuar në parkun arkeologjik kombëtar të Apolonisë solli një formë të re të perceptimit të trashëgimisë, edukimit nëpërmjet trashëgimisë së digjitalizuar dhe një mundësi për personat me aftësi ndryshe, të cilëve iu dha mundësia të njohin objektet muzeale, duke i prekur fizikisht.

Falenderojmë bashkëpunëtorin tonë, Emiliano Lule për realizimin e shpjeguesve në alfabetin Brail. Nëpërmjet projektit 3D_IMP_ACT dhe bashkëpunimit midis PAA, IKTK , POLITEKNIKUT dhe MK e MHK, sot kemi riprodhimin nëpërmjet digjitalizimit të disa objekteve arkeologjike”, shprehte ministrja e Kulturës Elva Margariti, në një status të saj për këtë projekt në këtë park arkeologjik.

Parku i Apolonisë ndahet në zonën A dhe zonën B. Qytet antik (zona A) rreth 120 ha është i rrethuar me mur fortifikues rreth 4.5 km i gjatë, me arkitekturë greko-romake dhe bizantine. Zona B përfaqësohet nga territori ekstramural; nekropoli arkaik, helenistik dhe romak; tempuj dhe ndërtime private ekstramurale.

Një sërë rrënojash e monumentesh si shëtitorja B me kolonat dorike të shekullit IV para Krishtit, çezmja madhështore e Nimfeut që është dhe monumenti më i madh i ruajtur i parkut, porta e Temenosit me Obeliskun përballë e plot objekte e rrënoja të tjera janë me rëndësi, si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.

Sikur të mos mjaftojë thesari arkeologjik, që mund të vizitohet në këtë park arkeologjik, brenda mureve gjendet dhe Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë, të cilat së bashku me muzeun arkeologjik që ndodhet brenda manastirit, i shtojnë akoma më shumë vlerat historike, arkitekturore e kulturore të parkut.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT