Qeveria “Hoti” kalon provën e vështirë në Kuvend; vota e Vjosa Osmanit, vendimtare

Qeveria e Avdullah Hotit në Kosovë ka kaluar sot një provë të rëndësishme, pasi arriti të miratojë një ligj kyç, edhe pse nuk e ka teorikisht shumicën e votave që i dha votëbesimin katër muaj më parë.

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike-Covid 19 që parashikon një paketë ndihmë për biznesin, u votua edhe nga kreu i Kuvendit Vjosa Osmani, e cila nuk e ka votuar qeverinë, kolegu i saj i larguar nga LDK, Haxhi Abdyli, si dhe nga kreu AKR, Behgjet Pacolli dhe deputetja e kësaj force politike, Mirlinda Sopi-Krasniqi.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, mbajti një qëndrim të ashpër në fjalimin e saj, duke akuzuar mazhorancën për arrogancë.

“Unë do ta votoja pesë herë këtë projektligj që i duhet qytetarëve, por jo se e meritoni ju që më keni quajtur deri edhe palaço por edhe me epitete të tjera fyese. Siç e kam votuar edhe 5 herë, unë e votoj edhe sot por jo pse e meritoni ju këtë votë, keni treguar arrogancë të paparë, së paku në katër mandate… E kjo tregon që nuk lodhen aspak për dëmin ekonomik që i është shkaktuar vendit nga pandemia”, u shpreh ndër të tjera Osmani.

Ndërkaq deputetët e Vetëvendosjes dhe të PDK-së, mbajtën qëndrimet e tyre kundër miratimit të projektligjit dhe asnjë deputet i këtyre subjekteve politike nuk mori pjesë në votim.

Pas diskutimeve, drafti u votua në parim ku mori 64 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT