Ralf Gjoni kundër Varhelyi: Nuk ka vend për vlera sovjetike, serbe e Putini në këtë vend

Deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni, është shprehur ashpër në Kuvend ndaj Komisionerit evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, duke e krahasuar fjalimin e tij dhe duartrokitjet në Kuvend të deputetëve me kohën kur “një tufë delesh në Shqipëri duartrokisnin çdo gjë që thoshte Hurshovi”.
Ai u shpreh se kanë mbaruar kohët e Bashkimit Sovjetik, ndërsa theksoi se “nuk ka vend për vlera sovjetike, serbe e Putini në këtë vend”
“Unë mendoj se kanë mbaruar kohët e Bashkimit Sovjetik kur Hurshovi vinte në Shqipëri dhe gjente një tufë delesh që ngriheshin Shqipëri dhe duartrokisnin për çdo gjë. Janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të luajtur me reformën elektorale, në kurriz të të ardhmes së Shqiptarëve. Z.Varhelyi ka ardhur koha që ne të flasim me zërin e të vërtetës pa kompleks inferioriteti.
Emërimi i z.Varhelyi u përshëndet nga dy lider në rajon, Vuçic dhe Milorad Dodik, i Republikës Srpske, që vepron për hrië të Moskës në Ballkan për të destabilizuar Bosnje-Hercegovinën. Z.Varhelyi duhet ta dijë se Shqipëria nuk i përket këtij klubi, por atij Euro-Atlantik. Nuk ka vend për vlera sovjetike, serbe e Putini në këtë vend, pavarësisht përpjkje. Në 25 prill, pavarësisht raporteve të ndritura të BE, nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të barabarta me komisonerë partiak që numërojnë votat. Nuk ka shanse që ndonjëri këtu që mendon se do ta fusë Rama në listë, do marri 10 mijë vota, se i numëron komisioneri partiak”, tha ai.