Rama: Turqia bëri financimin, dërgon edhe punëtorët. Se shqiptarët ankohen për punë, po duan të bëhen doganierë

Kryeministri Edi Rama ishte dje në Thumanë, ku njoftoi nisjen e rindërtimit të shtëpive në një truall të shtrirë në rreth 12 hektarë.
Ai tha se përmbajtja kënetore e tokës u konsolidua tashmë me shtresa gurësh e rrjetash të posaçme stabilizuese.
“Nuk do të ketë asnjë lloj problemi mbas, as për tërmetet”, tha njëri nga inxhinierët.
Ndërkohë që kreu i qeverisë kishte një përgjigje për ata që ngrenë pyetjen se ku shkuan mbi 1 miliard eurot e donatorëve të njoftuara me shumë bujë para disa muajsh.
“Ku shkuan lekët plako? Nuk shkuan asgjëkundi. Pasi donatorët nuk i hedhin lekët në prehrin e qeverisë, por i shpenzojnë vetë.
BE-ja, që në procedura ka marrë më shumë kohë se ne, fillon tani me shkollat e reja. Po ashtu Turqia në Laç, financimin e bën vetë, kompaninë e ka zgjedhur vetë, inxhinierët vetë.
Madje edhe punëtorë i ka sjellë vetë, meqë këtu ka shumë që thonë se nuk kemi punë, por kur u thua hajde, puno, thonë nuk është punë për mua. Se duan të shkojë në doganë, ose në rastin më të keq të bëhen policë, – tha kryeministri.