Renditja e FIFA-s, Shqipëria dhe Kosova humbasin terren

Rezultatet e dy ndeshjeve të fundit kanë bërë që Shqipëria dhe Kosova të humbasin terren në renditjen e FIFA-s për muajin tetor.
Një rënie më të madhe kanë pësuar kuqezinjtë e trajnerit Edi Reja, të cilët nuk arritën të fitonin asnjë nga dy ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë, ku morën dy pikë.

Shqipëria ndodhet në vend të 69-të, duke humbur kështu 3 vende në krahasim me renditjen e shtatorit, ku mbante vendin e 66-të. Ajo është parakaluar edhe nga El Salvadori dhe Arabia Saudite. Një rënie e konsiderueshme për Kombëtaren, që mund ta rregullojë imazhin e saj me dy ndeshjet e fundit në grup të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë do të presin në “Air Albania Stadium“ Kazakistanin dhe Bjellorusinë, dy ndeshje që mund të sjellin vendin e parë, nëse fitohen.

Kosova ka humbur një vend në renditjen e FIFA-s. Dardanët mbajnë vendin e 117-të dhe kanë një rënie të lehtë pas humbjes me Slloveninë në Prishtinë dhe barazimit me Greqinë në Athinë. Kosova është kaluar nga Namibia.