SHBA reagon pas padisë së konkurrentëve për BKH: Mbështesim procesin e rekrutimit sipas meritës

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar pas disa akuzave nga ana e konkurrentëve për të hyrë në Byronë Kombëtare të Hetimit, se nuk është gjykuar sipas meritës rezultati i testit të zhvilluar këto ditë.

Në një deklaratë të shpërndarë edhe në rrjetet sociale, ambasada thekson: “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht procesin objektiv dhe të bazuar në merita të Shqipërisë për të rekrutuar dhe përzgjedhur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këto standarde ligjzbatimi të aftësive fizike dhe intelektuale janë thelbësore që BKH-ja të përmbushë mandatin e saj”.

Njoftimin e saj ambasada e SHA e ka të bashkëlidhur me njoftimin zyrtar të BKH-së ku theksohet se rezultatet e testeve fizike dhe ato metodologjike të aplikantëve janë plotësuar në mënyrë transparente dhe profesionale.

“Kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish. Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej tyre të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë. Keta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës. Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej Komisionit Ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme. SPAK beson se këto standarte të larta do të jenë faktorë të rëndësishëm për të siguruar që hetuesit e BKH-së janë të përgatitur dhe të aftë për të kryer punën e vështirë që i pret para”, bëhet e ditur në njoftimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT